Darka e Lamës mbahet edhe në Gjilanin e VV-së, Hyseni: Ta ruajmë traditën
“Darka e Lamës” një festë e moçme tradicionale që u rikthye në skenë nga ish-presidenti Ibrahim Rugova në vitin 2002 dhe që për çdo vitiorganizohet nën përkujdesjen e Zyrës së Presidentës, tashmë po organizohet edhe në komuna të Kosovës.
Është komuna e Gjilani dhe kryetari i saj që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni që ka organizuar “Darkën e Lamës”.
Sipas njoftimit të Komunës së Gjilani, kryetar Hyseni ka thënë se janë mbledhur në Darkën e Lamës “pa dallime politike”.
“Këto festa tradicionale që i kemi si komb, do të ishte me mirë që të ruhen edhe në të ardhmen. Ne jemi mbledhur këtu, pa dallime politike apo të tjera, në festë që bashkon kombin e popullin me qëllim që ta ruajmë traditën dhe ta vazhdojmë atë më tutje. Është shumë e rëndësishme që t’i çmojmë produktet që i kemi në tryezat tona, sidomos ato që vijnë prej tokave të komunës e vendit tonë”, ka thënë kryetari Hyseni.
“Është shumë me rëndësi që të vazhdojmë t’i ndihmojmë fermerët dhe prodhuesit. Kjo ditë na bashkon të gjithëve, pa dallime mes nesh. Uroj që këto produkte që i kemi këtu, t’i blejmë edhe në markete”, ka shtuar kryetari i Gjilanit.
Ndërkohë vitin e kaluar “Darka e Lamës” në organizimin e presidentes, Vjosa Osmani, ishte mbajtur në një nga hotelet luksoze të Prishtinës, gjë kjo që ishte kritikuar jashtëzakonisht shumë.
Ndërsa këtë vit “Darka e Lamës” është mbajtur para një muaji. Presidentja Osmani kësaj radhe shtroi Darkën e Lamës në “Shtëpinë e të moshuarve” në Prishtinë.
