Dan Petrescu: Ballkani nuk do të humbë asnjë ndeshje në shtëpi, as ndaj Slavias e as ndaj Sivassporit
Trajneri i CFR Cluj, Dan Petrescu, ka komentuar ndeshjen mes Ballkanit e skuadrës së tij, duke thënë se është i kënaqur me golin në minutat e fundit, ndërsa foli fjalë të mira për kampionin e Kosovës, duke thënë se ata nuk do të humbasin asnjë ndeshje në shtëpi dhe kanë shanse për të kaluar grupet.
"Është gjithmonë e vështirë të luash në Ligën e Konferencës apo në Ligën e Evropës në fazën e grupeve. Këtu kualifikohen vetëm skuadrat e mira, ne luajtëm ndaj një skuadre që është kampione dhe kur një skuadër është kampione kanë mentalitet të mirë. Ballkani ka mentalitet shumë të mirë, kanë trajner të mirë, lojtarë të mirë dhe normalisht që është ndeshje e vështirë.
Nëse e shikojmë që shënuam vetëm në fund të takimit, është mjaftë mirë për ne. Rastet në ndeshje i takuan skuadrës sime, ndërsa posedimin e topit e pati Ballkani.
Nuk jam i befasuar nga paraqitja e Ballkanit sepse kam shikuar tetë ndeshjet e tyre të fundit dhe mendoj se në shtëpi ata nuk do të humbin asnjë ndeshje, as kundër Slavias e as kundër Sivassporit, jam i sigurt për këtë.
Ne do të tentojmë të kalojmë grupet, kështu që kemi shanset tona por edhe Ballkani ka shanset e saja, të dy skuadrat kemi shanset për ta bërë këtë."