Çudit Kurti: Njerëzit ikin sepse s’ka lidhje mes diplomave dhe tregut të punës
Në emisionin “Rubikon”, që drejtohet nga gazetari Adriatik Kelmendi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur rreth ikjes së qytetarëve nga vendi. Në pyetjen e gazetarit se pse po ikin njerëzit nga Kosovës, Kurti dha një përgjigje të çuditshme.
Sipas Kurtit, qytetarët po ikin për shkak të mospërputhjes së diplomave të universiteteve në Kosovë me kërkesat e tregut të punës.
“Unë besoj që qytetarët e lëshojnë vendin, kryesorja është meqenëse nuk kemi lidhje midis diplomave të universiteteve e fakulteteve tona dhe tregut të punës. Mendoj që ky është një ndër faktorët kryesor. Njerëzit që e lëshojnë Kosovën është arsye kanë që mbarojnë juridik, mbarojnë ekonomik, mirëpo është i ngopur tregu i punës për profesione, sepse asnjëherë nuk ka pasë një Qeveri që krijon urën midis arsimit dhe aftësimit profesional në njërën anë dhe tregut të punës në anën tjetër” – deklaroi Kurti.
Tutje, Kurti vlerësoi se Qeveria e tij po angazhohet edhe për profesionalizëm joakademik.
“Ne po angazhohemi që të ketë mundësi edhe për profesionalizëm joakademik, parukier, hotelierë, kuzhinerë, muratorë e kështu me radhë” – tha Kurti.
“Tash nëse dikush është afër humbjes së shpresës, se ka edhe të tillë, nuk ndihmon kur ju themi që po e humbin shpresën. Është i rëndësishëm edhe ky aspekt, në thelb të çështje, po e rithkesoj edhe një herë, është mungesa e prodhimtarisë vendore, struktura e ekonomisë tek ne, e cila është bazuar në import, konsum, e financa, e jo në përpunim e prodhim.” – shtoi Kurti.