CNN: Zelensky do ta shkarkojë komandantin e ushtrisë brenda disa ditëve - NACIONALE

CNN: Zelensky do ta shkarkojë komandantin e ushtrisë brenda disa ditëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Komandanti i popullarizuar i ushtrisë ukrainase, Valery Zaluzhny, u ftua në një takim të hënën në zyrën e presidentit dhe u njoftua se do të shkarkohej, i thanë televizionit CNN dy burime të afërta me këtë çështje, disa javë pas shtimit të spekulimeve për tensione mes tij e presidentit Zelensky.

Ende nuk është publikuar ndonjë njoftim zyrtar, që do të thotë se Zaluzhny ishte ende në detyrë të mërkurën në mëngjes. Megjithatë, një dekret presidencial pritet të lëshohet në fund të kësaj jave, tha njëri nga burimet. Ky do të ishte ndryshimi më i madh i udhëheqësisë ushtarake nga Zelensky që nga fillimi i luftës me Rusinë para gati dy vjetëve, raporton televizioni i njohur amerikan.

Thashethemet për këtë takim dhe për shkarkimin e komandantit të ushtrisë shpërthyen në Kiev të hënën në mbrëmje. Merret vesh se një mosmarrëveshje ishte hapur mes presidentit dhe komandantit pas dështimit të kundërsulmit ukrainas vitin e kaluar.

Thuhet se tensionet ishin rritur posaçërisht pasi Zaluzhny e kishte përshkruar luftën në Ukrainë si ngërç në një intervistë për revistën “The Economist” në nëntor.

Të hënën, zëdhënësi presidencial ukrainas, Serhiy Nykyforov, i tha televizionit CNN dhe të tjerëve se thashethemet për shkarkimin e komandantit të ushtrisë ishin të pavërteta.

Megjithatë, sipas njërin nga burimet, në një takim të vogël në zyrën e tij të hënën, ku mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Rustem Umerov, Zelensky deklaroi se ai kishte “marrë një vendim për ta shkarkuar komandantin e forcave të armatosura”. Ky përshkrim është në vijë me raportime të tjera, përfshirë ato të gazetave “The Washington Post” dhe “Financial Times”.

Në një bisedë të përshkruar si “të qetë”, Zelensky pastaj i ofroi Zaluzhny-t një pozitë tjetër, të cilën komandanti e refuzoi.

Më pas, presidenti Zelensky e theksoi vendimin e tij, duke thënë se fakti që Zaluzhny e kishte refuzuar detyrën e re nuk e ndryshonte faktin se ai do të largohet nga pozita e komandantit të ushtrisë.

Televizioni CNN i shkroi zyrës së presidentit të mërkurën për të kërkuar koment të mëtejmë, por nuk pranoi përgjigje./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme