CIA thotë se Rusia ka humbur 15 mijë ushtarë në Ukrainë - NACIONALE

CIA thotë se Rusia ka humbur 15 mijë ushtarë në Ukrainë

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kreu i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) ka vlerësuar se Rusia ka humbur rreth 15,000 ushtarë që nga pushtimi i Ukrainës në muajin shkurt.

Drejtori i CIA-s, William Burns, tha se Ukraina u kishte shkaktuar "humbje të konsiderueshme" forcave ruse që nga fillimi i pushtimit pesë muaj më parë.

Burns shtoi se vlerësohet që të paktën 45,000 ushtarë të tjerë janë plagosur gjatë pushtimit.

"Vlerësimet e fundit nga komuniteti i inteligjencës amerikane tregojnë diçka në afërsi të 15,000 (forcave ruse) të vrarë dhe ndoshta trefishi i të plagosurve," ka thënë Burns, në Forumin e Sigurisë Aspen në Kolorado.

Duke i përshkruar numrat si "një numër mjaft domethënës humbjesh", Burns shtoi se edhe Ukraina kishte pësuar humbje të mëdha gjatë luftimeve me forcat ruse.

“Ukrainasit kanë vuajtur gjithashtu – ndoshta më pak se kaq. Por, ju e dini, ka viktima të konsiderueshme.”

Kujtojmë se, Rusia nuk e ka bërë publike shifrën aktuale të viktimave të luftës me përditësimin e fundit në muajin mars, ku deklaroi 1,351 ushtarë të vrarë.

Lajme të ngjashme