Cakolli për seancën e sotme: Vazhdim i bllokadës, u kandiduan ata që dihet që s'i kanë votat
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka dhënë një reagim në lidhje me seancën e sotshme të themelimit të Kuvendit, duke deklaruar se ajo ka qenë e dështuar për shkak se strategjia e partisë kryesore nuk ka ndryshuar, pavarësisht ndryshimit të emrave të kandidatëve.
Sipas Cakollit, parashtrimi i kandidatëve pa mbështetjen e nevojshme të votave përfaqëson një vazhdimësi të bllokimit institucional.
Ai gjithashtu ka ngritur pyetjen pse nuk u testuan alternativa të tjera me tre ose katër kandidatura, duke pasur parasysh që u eksperimentua vetëm me dy opsione.Postimi i plotë:
Postimi i plotë:
Sot për herë të parë u provuan dy kandidatura për Kryetar të Kuvendit brenda një seance – një situatë e re pas aktgjykimit të Kushtetueses.
Por edhe kjo përpjekje dështoi, sepse emrat ndryshuan, por jo qasja. Në mungesë të vullnetit politik për një marrëveshje të bazuar në kompromis, propozimi i kandidatëve që dihet paraprakisht se nuk i kanë votat, është thjesht vazhdim i bllokadës.
E pakuptimtë mbetet edhe mënyra se si u menaxhua seanca nga kryesuesi i seancës. Ndonëse Avni Dehari bëri mirë që konsumoi më shumë kandidatura, është e paqartë pse e mbylli seancën pas dy përpjekjeve – pa ndonjë bazë që e kufizon numrin e votimeve.
Nëse u provua me dy, pse jo tri, katër apo aq sa duhet deri në një zgjidhje? Sepse, në mungesë të ndonjë rregulli kufizues, ajo që duhet të vihet në shprehje është përgjegjësia politike për të gjetur një kandidaturë të suksesshme. Por, edhe sot, kjo përgjegjësi mungoi.