Bugajski i reagon Borrellit: Do vazhdoni të rrotulloheni nëse nuk e zgjidhni mosnjohjen e Kosovës nga Serbia
Analisti amerikan dhe anëtari i lartë në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA), Janusz Bugajski ka reaguar ndaj një shkrimi në Twitter të Përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili njoftoi se ka thirrur në takim kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilëve Borrell iu kërkon normalizim të marrëdhënieve dhe se nuk duhet vazhdimisht të menaxhohen krizat mes dy vendeve.
Për Bugajskin, problemi themelor është mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe nëse nuk trajtohet ky problem, çështja mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhet.
“Ju do të vazhdoni të rrotulloheni në qarqe nëse nuk e zgjidhni problemin themelor – mosnjohjen e Kosovës nga Serbia si shtet i pavarur. Beogradi është gjithashtu një portë për ndikimin shkatërrues të Kremlinit. Mosnjohja dhe depërtimi i Moskës siguron paqëndrueshmëri rajonale”, ka replikuar Bugajski në Twitter.
Të hënën e 21 nëntorit, Josep Borell ka ftuar në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Borrell takimin e ka cilësuar urgjent dhe vjen në prag të hyrjes në fuqi të fazës së dytë të vendimit të shkallëzuar të Qeverisë për targat e që është gjobitja.
You will continue going round in circles unless you resolve the fundamental problem - Serbia's non-recognition of Kosova as an independent state. Belgrade is also a gateway for destructive Kremlin influence. Non-recognition and Moscow's penetration ensures regional instability.
— Janusz Bugajski (@JBugajskiUSA) November 20, 2022
