Bllokimi i të hyrave vetanake të Prishtinës nga Qeveria, Rama: Nesër ndalet trafiku urban, kemi paralajmërime edhe nga ndërmarrje tjera - NACIONALE

Bllokimi i të hyrave vetanake të Prishtinës nga Qeveria, Rama: Nesër ndalet trafiku urban, kemi paralajmërime edhe nga ndërmarrje tjera

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mbajti një konferencë për media mbi krizën financiare në kryeqytet, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokimin e të hyrave vetanake. Ai e quajti situatën “rastin më të rëndë të rrezikimit të qytetarëve në historinë e vendit”, duke shtuar: “Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë qytetarë të rrezikohen në këtë shkallë siç po ndodh sot. Për herë të parë në historinë e Kosovës po ndodh që Qeveria t’i bllokojë të hyrat vetanake të kryeqytetit.”

Rama paralajmëroi se transporti publik në Prishtinë do të ndalet më 24 nëntor 2025, pas takimit me përfaqësuesit e transportit urban dhe operatorët privatë. “Paralajmërime të njëjta kemi marrë edhe nga ndërmarrjet e tjera, të cilat prej muajsh nuk kanë marrë pagesa”, tha ai.

Sipas kreut të komunës, bllokada është politike dhe përfshin 35 milionë euro: 25 milionë nga të hyrat vetanake dhe 10 milionë nga grantet qeveritare. Këto veprime, sipas tij, janë bërë “në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”. Rama bëri të ditur se komuna i është drejtuar kryeministrit në detyrë, presidentes dhe Gjykatës Kushtetuese për një shqyrtim urgjent, duke theksuar se situata “po përkeqësohet çdo ditë”.

Ai deklaroi se punëtorët komunalë kanë mbetur pa paga dhe se shërbimet bazike po rrezikohen seriozisht. Rama kritikoi motivimet pas këtyre vendimeve, duke thënë: “Nuk kam besu kurrë që qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore.”

Lajme të ngjashme