Bislimi takon përfaqësues të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurëve në Kosovë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka takuar përfaqësues të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës.
“Shkëmbimi i sotshëm përkoi në prag të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë. Në këtë takim, palët u dakorduan për mbajtjen e një tryeze senzibilizuese për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, e cila përkujtohet çdo vit më 30 gusht.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
E plotë:
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim përfaqësues të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës.
Shkëmbimi i sotshëm përkoi në prag të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë. Në këtë takim, palët u dakorduan për mbajtjen e një tryeze senzibilizuese për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, e cila përkujtohet çdo vit më 30 gusht.
Zëvendëskryeministri Bislimi i njoftoi shoqatat dhe për adresimin me prioritet në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut të çështjes së personave të zhdukur me dhunë, mbi angazhimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, si dhe iu ofroi mbështetjen e vazhdueshme për sensibilizim dhe avokim në lidhje me këtë çështje.
Këshilli e falënderoi zëvendëskryeministrin për mbështetjen, e në veçanti për vizitën e realizuar në Srebrenicë me rastin e shënimit të përvjetorit të gjenocidit serb atje më 11 korrik, si dhe e njoftuan atë për sfidat me të cilat po përballen dhe angazhimin e shoqatave në këtë proces.