Bideni i fajëson udhëtimet jashtë vendit për paraqitjen e dobët: Gati fjeta në skenë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ua ka lënë fajin udhëtimeve jashtë vendit me aeroplan për performancën e dobët në debatin e parë presidencial përballë rivalit Donald Trump.
Ai iu tha gazetarëve se nuk ishte “gjë shumë e mençur” që “udhëtoi përreth botës disa herë” para debatit. “Nuk e dëgjova stafin tim... dhe pastaj gati rashë në gjumë në skenë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton televizioni BBC.
Sidoqoftë, presidenti 81-vjeçar për herë të fundit ishte kthyer nga një udhëtim më 15 qershor, gati dy javë para debatit të 27 qershorit.
Komentet e tij vijnë në kohën e panikut të brendshëm në Partinë Demokratike para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duke e vënë në pikëpyetje gjendjen mendore të politikanit veteran, pasi një kongresist nga Teksasi u bë ligjvënësi i parë i Partisë Demokratike që bëri thirrje që Bideni të tërhiqej nga gara pas debatit me Trumpin.
“Unë kam shpresë se ai do ta marrë vendimin e dhimbshëm dhe të vështirë për t’u tërhequr” – tha kongresisti Lloyd Doggett në një deklaratë të publikuar të martën.
Bideni dukej se kishte vështirësi për të dhënë disa përgjigje gjatë debatit me republikanin Trump të enjten.
“Nuk është justifikim por shpjegim” – tha ai në një tubim privat për grumbullimin e fondeve për fushatë në Virginia të martën në mbrëmje, duke iu referuar udhëtimeve të tij.