Berisha: Përdhunimi i 11-vjeçares nga 5 meshkuj, një akt i tmerrshëm e çnjerëzor - NACIONALE

Berisha: Përdhunimi i 11-vjeçares nga 5 meshkuj, një akt i tmerrshëm e çnjerëzor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lideri i PD-së, Sali Berisha, ka përkrahur protestën 'Solidaritet me Prishtinën' që do të mbahet sot në Sheshin Nënë Tereza në Tiranë për mbrojtjen e vajzave dhe grave nga dhuna patriarkale.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se përdhunimi i vogëlushes 11-vjeçare nga 5 meshkuj në Prishtinë është një akt i tmerrshëm e çnjerëzor.

Postimi i plotë i Berishës:

Miq, mbështes me përulje protestën 'Solidaritet me Prishtinën' që do të mbahet sot në Sheshin Nënë Tereza, në ora 18:30, për mbrojtjen e vajzave dhe grave nga dhuna shtazore e patriarkale.

Solidariteti është forma më fisnike e ndarjes së dhimbjes, zhgënjimit, indinjatës, kërkesës për drejtësi ndaj fenomeneve monstruoze që ndodhin në një shoqëri si dhe e angazhimit shoqëror për edukimin e mëtejshëm të të rinjve e parandalimin e krimeve të një kalibri që në fakt nuk duhet të kryeshin më.

Përdhunimi i vogëlushes 11 vjeçare nga 5 meshkuj në Prishtinë është një akt i tmerrshëm e çnjerëzor, i dënueshëm në çdo nivel të tij. Është një akt që prek një shoqëri të tërë, brenda e jashtë kufijve, që tejkalon ligje, rregulla e norma të shkruara dhe që kërkon një angazhim masiv, sa shpirtëror e intelektual aq edhe fizik, lëvizës e shkundës, siç po bën Kosova e sa mirë edhe Shqipëria që e mbështet.

Shoh një reagim të menjëhershëm dhe të jashtëzakonshëm, brenda e jashtë trojeve të vëllezërve e motrave tanë në Kosovë, për këtë ngjarje që më ka lënë pa fjalë e më ka tronditur sa s'ka. Ndaj, duke kërkuar ndëshkimin shembullor të kriminelve të këtij akti, shreh solidaritetin tim me viktimën dhe familjen e saj dhe bashkohem plotësisht me çdo reagim të ardhur si pasojë e këtij krimi kolektiv që s'duhej të kish ndodhur kurrë.

Lajme të ngjashme