Berisha paraqet planin për Prishtinën: Besojmë se do t’i zgjidhim problemet e vendosura me prioritet nga qytetarët
Bekë Berisha, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, ka prezantuar në “Debat Plus” vizionin e tij për kryeqytetin, të ndërtuar mbi shtatë shtylla themelore që, siç tha ai, adresojnë “të gjitha problemet reale dhe të ndjeshme me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës”.
Ai tha se plani është përgatitur në konsultim me ekspertë nga fusha të ndryshme, përmes një ekipi asamblistësh profesionistë që kanë punuar në identifikimin dhe renditjen me prioritet të sfidave të qytetit.
Ndër shtyllat kryesore të planit të tij, Berisha veçoi arsimin dhe rininë, shëndetësinë, kujdesin social dhe menaxhimin e problemeve mjedisore, përfshirë edhe çështjen e qenve endacakë – për të cilën ka hartuar një strategji të veçantë.
“E kemi bërë një listë të asamblistëve, të njerëzve të profesioneve të ndryshme, me të cilët besojmë se këto probleme të identifikuara dhe të vendosura me prioritet nga qytetarët do t’i zgjidhim. Me zbatimin e këtij programi që e kemi bërë, e që është gjithëpërfshirës, besoj se Prishtina pastaj mund të hyjë në një fazë tjetër ku mund të flasim për projekte më të mëdha”, ka thënë ai.
“Këta do t’i trajtojmë. E kemi bërë një program që, nëse zbatohet, rezultatet pas katër vjetësh do t’i kemi: uljen e popullsisë së qenve endacakë për -60%, sterilizimin e 70% të qenve me pronar brenda tri viteve, edukim të vazhdueshëm në 100% të shkollave fillore, rritjen e adaptimit të qenve endacakë me 25%, si dhe -80% mundësi më pak për t’u kafshuar qytetari nga qeni”, ka thënë ai ndër të tjera.