BE për Nacionalen pas paralajmërimit të Lajçakut: Është afër arritja e mirëkuptimit mes Kosovës e Serbisë
Ditë më parë në “Forumin e Dubrovnikut”, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte deklaruar se tri ose katër marrëveshje në mes Kosovës e Serbisë, janë gati.
Por, as edhe një detaj i vetëm nuk u dha se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, as nga emisari, e madje as nga qeveria. Anipse gazeta që disa ditë ka provuar të marrë një përgjigje nga qeveria. Të njejtit kanë qenë të paqasshëm.
Nga zyra e BE-së për gazetën, thonë se palët janë afër arritjes së një mirëkuptimi të përbashkët.
“Palët kanë diskutuar fushat e bashkëpunimit të mundshëm në të ardhmen gjatë muajve të fundit. Ndërsa ata janë afër arritjes së një mirëkuptimi të përbashkët, diskutimet vazhdojnë” thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së.
Gjatë këtij muaji, pritet takimi i nivelit të lartë në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuqiç.
Sot në mediat serbe u tha se data 19 korrik, është ajo kur do të ndodhë ky takim. Por që zyrtarisht ende asgjë nuk dihet.
Emisari Lajçak e kryeministri Kurti u takun sot në Greqi, ku temë kryesore të diskutimit kishin dialogun.