BE-ja po synon që të formojë një korridor ndihmash për Gazën përmes Qipros - NACIONALE

BE-ja po synon që të formojë një korridor ndihmash për Gazën përmes Qipros

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të udhëtojë në Qipro gjatë kësaj jave, përderisa BE-ja po punon drejt themelimit të një korridori të mundshëm humanitar për ta përkrahur Gazën përmes shtetit ishullor, tha zëdhënësi i saj.

“Përpjekjet tona janë të përqendruara për t’u siguruar që mund t’u ofrojmë ndihmë palestinezëve” – tha zëdhënësi i zyrtares së lartë evropiane, sipas raportimit të gazetës “The Times of Israel”.

Ai shtoi: “Ne të gjithë shpresojmë se kjo hapje [e korridorit të ndihmave] do të ndodhë shumë shpejt.”

Përderisa nuk është arritur ende marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, agjencitë e ndihmave raportojnë për gjendje të rëndë të civilëve në Gaza.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha këtë javë se dhjetë fëmijë kishin vdekur si rezultat i mungesës së ushqimit në enklavën palestineze.

Programi Botëror i Ushqimit, agjenci e OKB-së, tha se përpjekja e tij e parë pas dy javësh për të dërguar ndihma ushqimore në veri të Gazës u bllokua nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

Kjo agjenci tha se autokolona me 14 kamionë me ndihma “u kthye prapa” në një pikë kontrolli dhe më vonë u plaçkit nga turmat e “njerëzve të dëshpëruar”, raporton televizioni BBC, që e ka kontaktuar edhe ushtrinë izraelite për t’i marrë një koment.

Lajme të ngjashme