Bajrami kërkon anulimin e testit të maturës pasi u publikuan pyetjet: Që 6 vjet radhazi po përsëritet i njëjti dështim - NACIONALE

Bajrami kërkon anulimin e testit të maturës pasi u publikuan pyetjet: Që 6 vjet radhazi po përsëritet i njëjti dështim

7 orë më parë

nga NACIONALE

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar anulimin e testit të maturës, duke vlerësuar se procesi ka humbur besueshmërinë për shkak të publikimit të vazhdueshëm të testit gjatë mbajtjes së provimit.

Përmes një reagimi publik, Bajrami tha se për gjashtë vite me radhë po përsëritet i njëjti problem, ku pyetjet e testit publikohen menjëherë pas fillimit të provimit, duke favorizuar kopjimin në vend të dijes.

“Nëse nuk ki mundësi me organizu si duhet, anuloje. Që gjashtë vjet radhazi po përsëritet i njëjti dështim – publikimi i testit sapo fillon provimi”, ka shkruar ajo.

Sipas Bajramit, testi i maturës nuk po i shpërblen nxënësit që kanë punuar dhe mësuar gjatë viteve të shkollimit, por po krijon avantazh për ata që arrijnë të kopjojnë.

“Sot, fatkeqësisht, më të suksesshëm nuk dalin ata që kanë mësu shumë, por ata që kanë arritë me kopju më shumë. Kjo është padrejtësi ndaj mijëra nxënësve të vyeshëm që kanë punu me vite”, ka deklaruar deputetja.

Ajo theksoi se problemi nuk lidhet vetëm me organizimin e testit, por prek edhe drejtësinë në sistemin arsimor dhe procesin e pranimit në universitete.

“Kur kopjimi bëhet rruga ma e lehtë drejt suksesit, atëherë nxënësit e ndershëm ndëshkohen”, u shpreh Bajrami.

Deputetja e LDK-së kërkoi që testi i maturës të zëvendësohet me një sistem tjetër vlerësimi, i bazuar në suksesin e arritur gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm.

“Testi i maturës e ka humbë besueshmërinë dhe duhet me u zëvendësu me një sistem vlerësimi që bazohet në suksesin e arritur gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm. Arsimi nuk mund të ndërtohet mbi kopjim”, ka thënë ajo.

Lajme të ngjashme