Bahtiri: Kosova nuk bën më “amin” ndaj atyre që instalojnë në vend, çfarëdo që iu vjen në mend
Ish-kryetari i Mitrovicës dhe anëtari i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se e përkrah protestën e thirrur kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bahtiri ka kundërshtuar kërkesat e ndërkombëtareve dhe ka lavdëruar Qeverinë Kurti duke thënë se Kosova tash “nuk bën më “amin” ndaj tentimeve të tyre që të instalojnë në shtetin tonë çfarëdo që iu vjen në mend.”
Ai ka bërë thirrje për dalje në protestë, mirëpo nuk ka theksuar nëse edhe ai do të marrë pjesë.
Shkrimi i plotë i Bahtirit:
Republika e Kosovës, nuk ka nevojë për asociacione që shkojnë në dëm të shtetit.
Përgëzoj studentët e UP-së për iniciativen e ndërrmarë për protestë kundër themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky akt, sa është i rëndësishëm, aq është edhe patriotik, sepse Republika e Kosovës duhet o sot o kurrë t’i thotë JO, planeve e ideve të shtetit serb, të cilat çdoherë kanë qenë në kundërshtim me Kushtetuten tonë dhe parimet tona shtetërore.
Bëj thirrje për pjesëmarrje masive në këtë protestë, t’i tregohet njëherë e përgjithmonë shtetit serb, se populli i Kosovës nuk bën më “amin” ndaj tentimeve të tyre që të instalojnë në shtetin tonë çfarëdo që iu vjen në mend.
