Azerbajxhani dënon me burgim të gjatë edhe një ish-zyrtar tjetër të Karabakut - NACIONALE

Azerbajxhani dënon me burgim të gjatë edhe një ish-zyrtar tjetër të Karabakut

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Ruben Vardanyan, miliarder armen që kishte shërbyer si zyrtar i lartë në administratën armene të Nagorno-Karabakut, u dënua të martën me 20 vjet burgim nga një gjykatë në Azerbajxhan, raportuan mediat shtetërore.

Një gjykatë ushtarake në Baku e dënoi Vardanyan-in për 42 pika të akuzës, përfshirë terrorizmin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara janë duke bërë përpjekje për paqe mes Armenisë e Azerbajxhanit, vende fqinje në Kaukazin Jugor që kanë zhvilluar disa luftëra mes vete, kryesisht për Nagorno-Karabakun.

Presidenti amerikan, Donald Trump, administrata e të cilit nënshkroi marrëveshje ekonomike me këto dy shtete javën e kaluar, i tha kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, në një takim të mbajtur rishtazi në Shtëpinë e Bardhë se ai do të kërkonte nga presidenti azer, Ilham Aliyev, që të lironte të burgosur armenë.

Megjithatë, duke folur këtë javë për një medium francez, Aliyevi e përjashtoi faljen e ish-zyrtarëve të Karabakut, duke thënë se ata janë fajtorë për krime të rënda.

I biri i Vardanyanit, Davidi, tha se vendimi i gjykatës azere ishte “i paracaktuar” dhe se ai shpreson që ShBA-ja dhe Armenia do të bëjnë më shumë për ta siguruar lirimin e babait të tij dhe armenëve të tjerë që janë burgosur.

Lajme të ngjashme