Avokati Koci pas qëndrimeve të Hoxhës: AKI-ja dhe Policia të fillojnë me analiza serioze se çfarë po ndodh
Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj qëndrimeve të hoxhës Mazllam Mazllami të cilit iu publikua video duke përdhosur flamurin kombëtar dhe duke folur fjalë të rënda për dëshmorët.
Në një shkrim në Facebook, Koci tha se është i bindur se është më mirë që individët të kenë mundësi të shprehin mendimet e tyre, pavarësisht se çfarë mendojnë. Megjithatë, avokati theksoi se problemi nuk është vetëm Hoxha Mazllami, por në fakt, kryesisht disa ndjekës të tij që mund të kalojnë kufirin e lirisë së shprehjes dhe mendimit.
Koci shprehu shqetësimin e tij për disa nga ndjekësit e Hoxhës Mazllami, të cilët ai tha se janë analfabetë dhe primitivë dhe mund të frymëzohen nga ai për të kryer veprime që shkelin ligjin.
Avokati theksoi se në këtë rast, Hoxha Mazllami mund të ketë përgjegjësi si frymëzues i tyre. Ai u bëri thirrje Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policisë së Kosovës të fillojnë analiza serioze për të kuptuar çfarë po ndodh në vend, veçanërisht në kontekstin e ngjarjeve të ndodhura në kohën e shkuar në Siri, ku disa individë të indoktrinuar nga agjentë të huaj kishin ndjekur rrugë të ngjashme.