AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa rajone të Polonisë - NACIONALE

AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa rajone të Polonisë

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka njoftuar se ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga disa rajone të Republikës së Polonisë, pas konfirmimit të pranisë së gripit të shpendëve.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi bazohet në raportet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian, të datës 11 janar 2026, ku është konfirmuar prania e Avian Influenza të tipit HPAI–H5N1 në Poloni.

Sëmundja është evidentuar në ferma komerciale dhe familjare, si dhe te shpezët e egra në rajonet Lubuskie, Wielkopolskie, Kodzkie dhe Podlaskie.

Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe garantimit të sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV ka vendosur ndalimin e importit nga zonat e prekura. Përjashtim bëjnë vetëm produktet që kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja dhe që ndodhen në një rreze prej së paku 50 kilometrash larg zonave të infektuara.

Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të mëtejshëm të situatës epidemiologjike.

AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Po ashtu, publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual.

Lajme të ngjashme