Arrestohet punonjësi i qendrës civile në Mamushë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare - NACIONALE

Arrestohet punonjësi i qendrës civile në Mamushë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Është arrestuar një punonjës i qendrës së regjistrimit civil në Mamushë, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës kanë marrë informacion qysh nga muaji janar 2024, që i dyshuari ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit – Prizren, gjatë muajit janar 2024, në rrugë operative ka pranuar informatën ku dyshohet se zyrtarë të gjendjes civile në Mamushë, janë të përfshirë në veprën penale ‘’keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar.” – thuhet në njoftim.

Sipas PK-së, i dyshuari ka bërë regjistrimin e gjashtë personave në kundërshtim me ligjin, dhe sipas tyre vetëm për njërin nga ta është gjetur dosja, ndërsa për personat e tjerë nuk ka ekzistuar dosja fare.

Hetuesit policorë e kanë trajtuar informatën në koordinim me organet e drejtësisë. Me autorizim dhe udhëzime nga prokurori i çështjes, janë siguruar dëshmi relevante. Kështu, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari-zyrtar i gjendjes civile në Mamushë, gjatë vitit 2023 ka regjistruar në sistemin e gjendjes civile gjashtë persona në kundërshtim me ligjin. Veprimet e të dyshuarit, kanë bërë që pa qenë fare personat në Kosovë dhe pa pasur të drejtë ligjore për ta fituar shtetësinë kosovare, fillimisht i ka regjistruar e me pas ju ka mundësuar fitimin e shtetësisë. Ndërsa vetëm për një person është gjetur dosja, të cilin e ka regjistruar me datë 05.05.2023, ndërsa për personat tjerë dosjet e tyre nuk ekzistojnë fare.”

“I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, ndërsa ka shfrytëzuar mundësinë ligjore dhe në këtë faze është mbrojte në heshtje. Pas konsultës me prokurorin, me Aktvendim mbi ndalimin, i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.” – thuhet në përfundim të njoftimit.

Lajme të ngjashme