Arrestohet një gjyqtar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Prokuroria jep detaje
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se sot është arrestuar një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas komunikatës për media, bëhet fjalë për gjyqtarin A.G.
Prokuroria ka bërë me dije se ai është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore në Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore që kanë rezultuar me arrestimin e A.G., gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”. Hetimi në këtë rast është zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme gjatë një periudhe disa mujore. Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit”, thuhen në njoftim, duke dhënë detaje tjera.
“Me qëllim të respektimit të integritetit të procesit hetimor dhe parimit të prezumimit të pafajësisë,nuk mund të ndahen detaje të tjera në këtë fazë. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe me standardet e drejtësisë penale”, është thënë në komunikatë.