Arrestohet një i dyshuar për tentim-vrasje në Mitrovicën e Jugut
Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka sulmuar me thikë një person tjetër në Mitrovicën e Jugut.
Sipas njoftimit të policisë, incidenti dyshohet se ka ndodhur rreth orës 01:30. Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe fillimisht është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, i lënduari është transferuar më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, hetuesit kanë sekuestruar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur në sulm.
I dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit kompetent, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë”, ndërsa Sektori Rajonal i Hetimeve po vazhdon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave.