Arrestohen dy persona për fajde në Prizren, dyshohet se tentuan t’ia marrin viktimës pronën rreth 1 milion euro - NACIONALE

Arrestohen dy persona për fajde në Prizren, dyshohet se tentuan t’ia marrin viktimës pronën rreth 1 milion euro

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Fajde”.

Sipas njoftimit, operacioni policor është zhvilluar më 11 mars 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.

Të dyshuarit, me inicialet E.K. dhe A.K., dyshohet se në vazhdimësi e kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde dhe kamatë, duke ushtruar presion të ndryshëm ndaj tij. Ata dyshohet se i kanë kërkuar viktimës edhe marrjen e shtëpisë dhe dy lokaleve të tij në Prizren, me vlerë rreth 1 milion euro.

Policia njofton se të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë gjatë përpjekjes për ta detyruar viktimën që të rregullojë dokumentacionin për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe dy lokaleve.

Me urdhër të gjykatës është kontrolluar edhe vendbanimi i të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që do të përdoren në procedurën penale.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prizren, ndaj të dyshuarve është lëshuar aktvendim për ndalim.

Lajme të ngjashme