Arifi: Qeveria nuk do ta zbatojë vendimin për targat
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se Qeveri nuk do ta zbatojë vendimin për targat pas 31 tetorit.
Ai ka deklaruar për gazetën Nacionale se Qeveria mund të tërhiqet nga vendimi për shkak të konsekuencave që mund të shkaktojë zbatimi i vendimit në procesin e dialogut.
“Qeveri nuk do ta zbatojë vendimin për targat pas 31 tetorit, për shkak se është duke i kuptuar konsekuencat që mund t`i sjellë një vendim i tillë, pra mund të prodhojë një rezultat shumë negativ, jo vetëm për Qeverinë e Kosovës, por për terë territorin e Kosovës. Dhe duke e ditur këtë gjë, mendoj që argumenti i tyre do të jetë që për shkak të kërkesës së partnerëve tanë ndërkombëtarë, qeveria do ta shtyjë edhe për një kohë, ndoshta edhe afat të pacaktuar apo për ndonjë afat më të gjatë, çështjen e targave”, ka thënë Arifi.
Ai ka bërë me dije se pretendimi i Qeverisë për ta zbatuar vendimin për targat, nuk e nxjerr mirë atë para bashkësisë ndërkombëtare.
“Është e vërtetë që letërnjoftimet ilegale, që lëshohen në Serbi, ato qarkullojnë edhe në Kosovë. Jo vetëm kjo, por edhe shumë gjera tjera e zbehin besueshmërinë e Kosovës si shtet edhe karshi partnerëve ndërkombëtarë, sepse me njërën çështje dëshirojnë të tregohen patriotë populistë, por, në anën tjetër, pikën tjetër nuk e zbatojnë fare, apo nuk ka interesim për ta zbatuar. Kjo është vepër penale, sepse falsifikohet një dokument apo krijohet një identitet i dyfishtë i një personi, apo lëshohet një dokument nga një shtet tjetër për një vend krejt tjetër”, ka deklaruar Arifi, duke shtuar se Kosova duhet ta zbatojë reciprocitetin në plotësi.