Ardian Gjini: Prodhimi vendor prioritet, importi nga Serbia po dëmton bizneset tona
Ardian Gjini, kandidat për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shprehur shqetësim për gjendjen e prodhuesve vendorë, duke vlerësuar se importi i pakontrolluar po dëmton seriozisht ekonominë lokale dhe bizneset në Kosovë.
Pas një takimi të mbajtur në Deçan, Gjini deklaroi se për një biznes vendor nuk ka gjë më dekurajuese sesa të shohë se si puna, investimet dhe përkushtimi i tij humbin vlerë përballë konkurrencës së padrejtë nga importet.
Ai theksoi se prodhuesit vendorë të gurit dhe zhavorrit po përballen me vështirësi të mëdha, pasi sipas tij, dhjetëra kamionë me mallra po hyjnë nga Serbia, duke ndikuar negativisht në ekonominë lokale dhe duke dëmtuar kapacitetet prodhuese të vendit.
Gjini shtoi se shqetësimet e bizneseve, fermerëve dhe të rinjve do të mbeten pjesë kyçe e programit të tij qeverisës, duke theksuar se ato do të shërbejnë si bazë për politikat ekonomike të AAK-së.
“Prodhimi vendor duhet të jetë prioritet dhe do të mbështetet fuqishëm”, është shprehur ai, duke paralajmëruar masa konkrete për mbrojtjen dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.