Ambasadori amerikan u jep merita të gjitha qeverive pas-pavarësisë për luftën kundër korrupsionit: Shumë kanë punu
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka thënë se prej vitit 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur, është bërë shumë punë në themelimin e institucioneve kundër korrupsionit.
Në një diskutim në“Lëvizja Fol”, Hovenier tha se Kosova nuk është shteti i vetëm që e ka vendosur luftimin e korrupsionit si prioritet të rëndësishëm, ndonëse nevojitet ende shumë punë.
“Kosova nuk është e vetme, që e ka vënë luftimin e korrupsionit si prioritet të rëndësishëm, edhe pse nevojitet ende punë shumë e madhe për ta çrrënjohsur këtu dhe në vende tjetër, dëshiroj të përmend ato që janë arritur prej momentit kur Kosova ka shpallur pavarësinë.” – tha ai.
Hovenier ka thënë se një pjesë e kësaj çështje, ndryshoi në vitin 1999, për të vazhduar më pas që nga shpallja e pavarësisë.
“Meqenëse po flasim për Kosovën, që në vitet e Millosheviqit, një brez i tërë nuk ka pasur qasje në drejtësi dhe korrupsioni në mesin e zyrtarëve publik ishte një normë. Vitet 1999 e kanë ndryshuar një pjesë, pavarësia e Kosovës në 2008 ka ndryshuar shumë, prej pavarësisë kemi parë një themelim të institucioneve jetike prej atëherë, me mbështetjen e ndërkombëtarëve.” – shtoi ai.
Ambasadori amerikan ka shtuar se ShBA-ja është krenare për mbështetjen e kosovarëve dhe qeverive, përgjatë viteve, që të themelohen këto institucione.
“Ndonjëherë jemi skeptik, këto janë të reja si institucione, por ShBA është krenare për mbështetjen e tyre, kosovarëve, dhe qeverive, në shumës, që këto institucione të ngriten në këmbë…Policia, prokuroria, SHKK-ja, janë organe që po bëjnë përparim të dukshëm, a ka hapësirë për përmirësim, e dini ju vëetë përgjigjen, por edhe për ShBA-në mund të themi të njëjtën. A është arritur përparim, me mbështetjen e shoqërisë civile që kërkon llogari prej institucioneve, natyrisht që po.” – ka thënë ambasadori amerikan.
Ndryshe, diskutimi i ambasadorit me anëtarët e shoqërisë civile është bërë me rast të javës Anti-Korrupsion.

