Aliu e Hyseni përurojnë një rrugë në Gjilan, reagon Haziri: Projekt i Lutës
Kryetari i Gjilanit, me ministrin Liburn Aliu e zëvendësministrin Hysen Durmishi, të premten përuruan një rrugë në dalje nga qyteti i Gjilanit. Ky projekt, sipas ish-kryetarit Lutfi Haziri, është nisur gjatë qeverisjes së tij.
Në një shkrim në Facebook, Aliu njoftonte mes tjerash:
“Projekti në vlerë prej 3 milionë eurosh përveç rrugës me gjatësi 2900m me katër korsi përfshinë edhe shirit të biciklistëve, trotuar në të dyja anët, kanalizim kabllor, fekal e atmosferik, ndriçim në mes dhe sinjalizim”.
Megjithatë, Haziri ka reaguar ndaj kësaj, duke thënë se është “Projekt i Lutës”. Në një shkrim në Facebook, Haziri ka thënë se kjo rrugë duhej të përfundonte në vitin 2022.
“Këtë e dhjetëra projekte kapitale i bllokuan për tri vite sepse u referohen si ‘Projekte të Lutës’. Kjo vonesë më shumë se dy vjeçare u shkaktoi dëme të mëdha qytetarëve e bizneseve lokale, duke ua pamundësuar operimin e suksesshëm.
Kjo garniturë e VV-së veç marre s’kanë, por po u vjen fundi, si në nivel lokal, e po ashtu edhe në nivel qendror. Gjilanasit e Anamorava tashmë janë kryengritur kundër qeverisë së VV-së sepse nuk mund t'ua falin keqqeverisjen, korrupsionin masiv e nepotizmin e paparë në punësim”.