Ali Ahmeti tregon se kush e informoi Rugovën për UÇK-në: LPK-ja dhe LDK-ja nuk ishin armiq
Lideri BDI-së, Ali Ahmeti ka folur për raportet e Lëvizjes Popullorë të Kosovës me LDK-në.
Ai ka bërë me dije se këto subjekte politike nuk ishin armiq.
Në emisionin “Debat Plus”, në ciklin “Dosjet”, Ahmeti ka dhënë detaje interesante për raportet LPK – LDK.
Sipas tij, pavarësisht dallimeve në mënyrën e veprimit politik, nuk ka pasur hasmëri mes tyre.
“Lindja e pluralizmit në ish-Jugosllavi është një fakt që lëvizjen e fshehtë e defaktorizoi, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni. Mirëpo, e vërteta është që nuk u krijua hasmëri”, u shpreh Ahmeti.
Sipas tij, në organet drejtuese të LPK-së ishte konkluduar se përfaqësuesit e LDK-së nuk duhej të konsideroheshin armiq.
“Ne kemi komunikuar me të gjithë ata që drejtonin Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ka konkluza në organet drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës që këta nuk janë armiq. Këta janë vëllezërit tanë dhe duhet të gjejmë urat e komunikimit dhe të afrimit”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka treguar se personalisht nuk ka pasur takim personal me Ibrahim Rugovën, por disa zyrtarë të LPK-së ishin takuar me ish-liderin e LDK-së.
“Unë nuk kam pasur takim me Ibrahim Rugovën, por të deleguarit tanë që i kam sugjeruar të takohen me Ibrahim Rugovën, në mesin e tyre janë Ahmet Haxhiu, Xhavit Haziri dhe Azem Syla, që kanë shkuar dhe janë takuar”, deklaroi ai.
Sipas Ahmetit, në këto takime Rugova ishte informuar për veprimtarinë e rezistencës dhe për ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“I bëjnë me dije që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një realitet”, është shprehur ai.