Aleanca vendos të bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit: Kjo situatë përbën fyerje ndaj shtetit dhe qytetarëve
Kryesia e Aleancës ka vendosur të mbështesë Grupin Parlamentar të saj që të mos marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.
Sipas njoftimit të partisë, vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Kryesisë, ndërsa si arsye është përmendur situata institucionale e krijuar pas 5 shtatorit, të cilën Aleanca e konsideron si tejkalim të normave kushtetuese.
“Aleanca nuk do të legjitimojë shkeljen e vazhdueshme të Kushtetutës nga partia që fitoi zgjedhjet e fundit”, thuhet në reagimin e saj.
Nga kjo parti kanë deklaruar se situata aktuale përbën, sipas tyre, “fyerje ndaj shtetit dhe qytetarëve”, duke e cilësuar qasjen ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues si të papërgjegjshme.
Aleanca ka bërë të ditur se deri të shtunën ka qenë e gatshme të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, me synimin për të kontribuar në zhbllokimin e institucioneve. Sipas saj, të shtunën ka skaduar edhe afati i dytë 30-ditor.
"Aleanca ka qenë e gatshme të marrë pjesë në seancë deri të shtunën, kur skadoi afati i dytë 30-ditor, me qëllim që të kontribuojë në zhbllokimin e institucioneve. Hapi i radhës do të jetë koordinimi me dy partitë e tjera opozitare për referimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese", thuhet në njoftim.