Albin Kurti tregon qysh "e zhgënjeu" Albert Ajnshtajnin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është rikthyer edhe një herë fëmijërisë së tij, teksa para matematikanëve e fizikanëve, që po shpërbleshin me çmime nga Qeveria, u foli për matematikën.
Pasi tregoi se në burg ai zgjidhte ekuacione, Kurti përmendi edhe disa filozofë e matematikanë, përfshirë Platonin, Aristotelin e Ajnshtajnin.
Madje, këtë të fundit, Kurti e la të nënkuptonte se e kishte “zhgënjyer”, pasi që iu fut politikës, duke mos qëndruar tek ekuacionet.
“Pra, matematika si vetë gjuha e universit, ashtu qysh e besonte edhe Ajnshtajni kur tha që “Ekuacionet janë më të rëndësishme për mua, sepse politika është për të tashmen, por një ekuacion është diçka për përjetësinë”. Unë siç e dini nuk e kam respektuar plotësisht këtë parim të Ajnshtajnit, meqë kam zgjedhur politikën, ndoshta jo edhe plotësisht vetë, kjo zgjedhje është tërësisht e imja.”, tha Kurti.
Në fjalimin e tij, Kurti ka folur për matematikën, duke përkujtuar atë çfarë shkroi filozofi i Greqisë antike, Platoni mbi hyrjen e Akademisë së tij në Athinë.
“Edhe në Greqinë antike, pra kur Platoni e ka themeluar Akademinë në Athinë, mbi hyrjen e ndërtesës ka shkruar: “Le të mos hyjë këtu ai që nuk e di gjeometrinë”. Kjo akademi pastaj i dha botës atë që njihet si Babai i Logjikës, Aristotelin, i cili me kategoritë e tij filozofike, e sidomos me kauzalitetin, Ligjin e Shkakësisë, ndikoi aq shumë në këdo që erdhi pas tij në fushën e filozofisë apo të shkencave.”, tha fillimisht Kurti.
Ndërsa për matematikën, Kurti tha se ia ruajti freskinë e mendjes gjersa ishte në burg.
“Matematika më ka hyrë shumë herë në punë gjatë jetës, madje edhe në periudha shumë të vështira, por edhe atëherë kur ta zëmë isha në burg a në arrest shtëpiak a në paraburgim edhe zgjidhja sisteme të ekuacioneve me disa të panjohura, në mënyrë që ta mbaj kujtesën edhe mendjen sa më të freskët e aktive dhe në këtë mënyrë ta ruaj logjikën.”, deklaroi Kurti.
