Aksidenti i policëve në veri, dy prej tyre dërgohen në QKUK dhe dy të tjerë pritet të dërgohen
Dy nga tetë policët e aksidentuar sonte në Fshatin Grabovc në veri të vendit janë dërguar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
Zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa-Hakaj, ka bërë të ditur për Gazetën Nacionale se edhe dy policë të tjerë janë duke u përgatitur për t’u dërguar në QKUK.
“Dy prej tyre janë transferu në QKUK, ndërsa një tjetër, që do të thotë i treti, është duke u nisur tashmë për në QKUK, ndërsa i katërti është duke u përgatiru për transferim.” – ka potencuar për gazetën Mustafa-Hakaj.
Bëjmë të ditur se një automjet i blinduar i Policisë së Kosovës është aksidentuar në veri të vendit. Policia e Kosovës në një komunikatë ka njoftuar që aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00 dhe se në veturën e blinduar kanë qenë tetë zyrtarë policorë.
“Mund të konfirmojmë se pak pas orës 20:00, është raportuar se në veri të vendit, konkretisht në Fshatin Grabovc, një veturë zyrtare e blinduar në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës.” – thuhet në njoftim.