Aksident mes tri automjeteve në rrugën Pejë–Rugovë, lëndohet një person
Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ndodhi të dielën në rrugën Pejë–Rugovë.
Sipas informacioneve nga Policia, aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:00, në kilometrin e tetë të kësaj rruge, ku janë përfshirë tri automjete.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Driton Rugova, bëri të ditur se i lënduari është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
“Si pasojë e aksidentit një person ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në spital”, ka deklaruar Rugova.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur procedurat hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat që çuan deri te aksidenti.