Abu Dhabi: Nora Gjakova e mposht serben Perisic dhe kalon në gjysmëfinale
Nora Gjakova e ka mundur xhudisten serbe Marica Perisic për të kaluar në gjysmëfinale të Grand Slamit Abu Dhabi.
Kampionia olimpike e Kosovës e kaloi serben pa ndonjë telash apo mundim të madh në përballjen çerekfinale në kategorinë -57 kilogramë, raporton Nacionale.
Perisic u ndëshkua me tri shido (kartonë të verdhë) për shkak të pasivitetit dhe një gabimi në tërheqjen e Gjakovës, gjë që i kushtoi me disfatë.
Në gjysmëfinale, Gjakova do të përballet me gjeorgjianen Liparteriani.
Ky është turneu i parë garues për 30-vjeçaren nga Peja pas një pushimi 15-mujor si pasojë e lëndimit dhe operimit në krah.
Gjakova nuk kishte garuar më që prej Lojërave Olimpike 2020 në Tokio vitin e kaluar.
