Abdixhiku thërret Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së: Do të ballafaqohem me kërkesën për shkarkim
Kryetari i Lidhjes Demokratike , Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, në të cilin delegatët do të votojnë lidhur me kërkesën për shkarkimin e tij.
“Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai tha se gjatë pesë viteve në krye të LDK-së ky do të jetë kuvendi i katërt partiak, ndërsa në tri raste të mëparshme kishte kërkuar vetë votëbesimin e anëtarësisë.
“Këtë herë, të njëjtin besim më është kërkuar ta rimarr përsëri; veçse njëanshëm me kërkesë për shkarkim. Në 37 vite histori, kjo praktikë nuk ka gjetur vend asnjëherë në LDK”, ka thënë ai.
Abdixhiku e ka cilësuar procesin si të panevojshëm, të pakohë dhe përçarës, duke shtuar se megjithatë do ta pranojë atë si pjesë të demokracisë.
“Une e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Ai u ka bërë thirrje delegatëve të marrin pjesë në Kuvend, duke argumentuar se ky proces mund t’i sjellë partisë më shumë qartësi.
“Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm është paralajmëruar të mbahet të enjten, më 30 korrik. “Të enjtën, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”, ka përfunduar ai.