Abdixhiku takon Kongresmenin demokrat Ritchie Torres
Kryetari I Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vizita zyrtare, është pritur në takim sot nga Kongresmeni demokrat Ritche Torres njëkohësisht bashkëkryesues i Grupit për Shqiptarët në Kongresin Amerikan.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se me Torres patën një diskutim për zhvillimet në Kosovë.
“Patëm një diskutim të hapur e shumë përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon. Biseduam dhe për aspiratat e popullit të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik si dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së SHBA-ve në këtë rrugëtim. Si njohës i mirë i çështjes shqiptare dhe nevojave të Republikës sonë, Kongresmeni Torres ofroi mbështetje të parezervë”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku poashtu ka njoftuar se Torres do ta vizitoj Kosovën këtë javë.
“E falënderova për gjithë kontributin e dhënë në Kongres. Në veçanti, populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës për angazhimin e pandalshëm të tij drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve dhe nevojës për vënie të drejtësisë nga lufta e fundit në vend. Kongresmenin Torres do të jetë këtë javë për vizitë në Kosovë. Përveçse do të gjej një vend të bukur me histori plot, do të gjej dhe një popull mirënjohës për rolin e SHBA-ve në Kosovë”, ka thënë kryetari i LDK-së.