Abdixhiku shpreh ngushëllime pas vdekjes së babait me dy fëmijët në Malishevë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime për familjen në Malishevë, ku vdiq babai me dy fëmijë.
Në një shkrim ne Facebook, Abdixhiku ka thënë se në këto momente të rënda, çdo fjalë duket e vogël.
“Jam thellësisht i prekur nga tragjedia e rëndë që ka goditur një familje në Malishevë, ku humbën jetën babai me dy fëmijë. Kjo tragjedi e madhe na rëndon të gjithëve; si individë, prindër e bashkëqytetarë të Republikës.
Në këto momente të rënda, çdo fjalë duket e vogël. Megjithatë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të gjithë të afërmve. Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndajmë këtë dhimbje me gjithë zemër dhe qëndrojmë pranë tyre në këto çaste zie, me një solidaritet njerëzor që shkon përtej fjalëve.
Lutemi që, mes kësaj errësire të madhe, të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme”, ka shkruar ai.