Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Për marrëveshje ku LDK-ja s’ndihet e përfaqësuar, s’kemi asnjë votë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë pas takimit me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, se partia e tij nuk ka asnjë votë për të dhënë, në rast se nuk ndihet e përfaqësuar në ndonjë marrëveshje të mundshme politike.
Ai tha se po bëhen përpjekje për t’u shmangur zgjedhjet e reja, sepse nuk ka arsyetim para popullit për një gjë të tillë.
Abdixhiku tha se ende nuk ka konsensus rreth parimeve.
“Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional në Republikën e Kosovës dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme, të katërtat me radhë për më pak se një vit e gjysmë” – tha kryetari i LDK-së.
“Në këtë fazë, u dakorduam që të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë, pra, edhe një herë po them, të katërtat me radhë” – shtoi ai.
Kur u pyet se në çfarë cilësie ishte e pranishme në takim ish-presidentja Vjosa Osmani, ai tha se ajo ishte si bartëse e listës së Lidhjes Demokratike.
Më tej, kur u pyet nëse LDK-ja ka kushte për marrëveshje, Abdixhiku tha se “në këtë fazë po flasim për parimet dhe vlerat rreth të cilave duhet të diskutojmë.
Ai tha se “nuk kemi arritur që të flasim për emra të përveçëm”, duke iu referuar çështjes së zgjedhjes së presidentit.