Abdixhiku: Nominimi i Agim Veliut për deputet, hap i mbarë drejt bashkimit të madh
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përshëndetur nominimin e Agim Veliut për deputet nga dega e LDK-së në Podujevë, duke e quajtur rikthimin e tij, si hap të mbarë drejt bashkimi të madh.
E plotë:
Falënderoj Degën e Podujevës për unitetin, pjekurinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment të madh bashkimi për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nominimi nga dega i ish-kryetarit të saj, Agim Veliut, është dëgjim i vullnetit të anëtarësisë dhe një hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh për të cilin jemi angazhuar të gjithë.
LDK-ja gjithmonë ka ditur të bëhet më e fortë atëherë kur ka ditur të bëhet bashkë. Dhe ky është mesazhi më i mirë që mund t’u japim sot qytetarëve tanë; se mbi çdo dallim, mbi çdo pakënaqësi e mbi çdo periudhë të kaluar, qëndron shtëpia jonë e përbashkët politike, Lidhja Demokratike; dhe përgjegjësia jonë ndaj Republikës.