Abdixhiku: Kjo Qeveri tashmë ka dështuar, në 18 muaj ata u treguan të paaftë për të menaxhuar vendin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se është e paaftë dhe se është duke ngecur në çdo fushë.
Ai në kuadër të aktivitetit “LDK-ja ju dëgjon” të mbajtur në Podujevë, ka thënë se nga kjo qeveri po prodhohet krizë, kërcënime dhe mungesë e realizimit të projekteve në vend të krijimit të zgjidhjeve.
“Kjo Qeveri tashmë ka dështuar. Në vetëm 18 muaj ata u treguan të paaftë për të menaxhuar vendin, e aq më pak për të përballuar krizën e rëndë. Kjo është një Qeveri që ka veç fjalë dhe asnjë veprim, gjersa qytetarët dhe bizenset janë duke vuajtur. Mbi të gjitha shohim arrogancë, sjellje jodemokratike dhe mosrespektim të debatit publik. Kurti po ikën nga problemet dhe largohet nga vendi në mes të një krize sepse nuk mund t'a zgjidhë atë. Faktet janë fakte”, tha ai mes tjerash.
“Shëndeti është një katastrofë në vetvete, ekonomia është në rënie, me vetëm 9% shpenzimet kapitale të qeverisë janë në nivelin më të ulët ndonjëherë. Papunësia mbetet aty ku ishte 18 muaj më parë dhe për 18 muaj humbëm dhjetëra mijëra punëtorë. Për më tepër, ne jemi i vetmi vend në Evropë që nuk e kemi nisur procesin arsimor këtë vit. Kosova është i vetmi vend që ka pasur ndërprerje të energjisë gjatë verës për shkak se Qeveria nuk ka arritur të mirëmbajë me kohë kapacitetet prodhuese. Një dështim masiv”, tha Abdixhiku.