300 kontejnerë të rinj në Prishtinë, asamblistja e PDK-së thotë se ata ishin projekt i Sahatçiut e Musliut që u shkarkuan
300 kontejnerë të rinj që do të vendosen nga e hëna në Prishtinë, për të cilët shkroi sot edhe kryetari Përparim Rama, sipas Partisë Demokratike të Kosovës në kryeqytet, janë projekt i tyre.
Kështu të paktën ka deklaruar asamblistja e PDK-së, Shega Peqiri.
Ajo ka thënë se prodhimi i këtyre kontejnerëve, është projekt 6 mujor i Donjeta Sahatçiut, nënkryetares së shkarkuar nga Rama, dhe Ilirik Musliut, drejtorit të shkarkuar po ashtu.
“Prodhimi i 300 kontenjerëve është projekt 6 mujor i Donjeta Sahatçiu dhe Ilirik Musliu i cili u kurorezua tani, derisa ata u shkarkuan me hakmarrje! Meritokracia po vazhdon të përbuzet ndërsa mbrojtja për këmbimin e pronave edhe pas shfuqizimit të vendimit po rritet!” – ka shkruar ajo.
Ndërkaq, për të njëjtit njoftoi sot edhe Rama. Ai foli për angazhim serioz e përkushtim profesional të punëtorëve të ndërmarrjeve publike.
“300 kontejnerë të rinj nga e hëna vendosen në kryeqytet. Angazhimi serioz e përkushtimi profesional i punëtorëve plot vullnet e të palodhshëm të ndërmarrjeve tona publike, dhe potenciali i madh që kanë Ndërmarrjet tona të kryeqytetit siç është Ndërmarrja Publike Banesore sjellin efektin e vet praktik e të prekshëm.” – ka thënë ai.