30 ditë paraburgim për të miturin që dyshohet se goditi disa herë me shkop druri një person në kokë
Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e 30 ditëve paraburgim ndaj një të mituri, i dyshuar për veprat penale “rrahje” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Sipas gjykatës, rasti ka ndodhur më 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në një rrugë në Ferizaj. I mituri dyshohet se, bashkë me dy persona të tjerë, është përfshirë në një përleshje që ka rezultuar me lëndime të rënda trupore.
Sipas aktvendimit, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme në Zvicër, të dyshuarit e kanë përcjellë me veturë të dëmtuarin dhe, pasi e kanë takuar, kanë dalë nga vetura dhe e kanë sulmuar.
Njëri prej të dyshuarve dyshohet se e ka goditur viktimën me thikë në abdomen, ndërsa një tjetër me grushte dhe shqelma. Më pas, i mituri dyshohet se e ka goditur disa herë me shkop druri në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.
I dëmtuari fillimisht ka marrë trajtim në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është transferuar në QKUK në Prishtinë.
I mituri dyshohet gjithashtu se, bashkë me dy të dyshuarit e tjerë, ka dëmtuar derën e hyrjes dhe inventarin e një biznesi pas përleshjes.
Gjykata ka vlerësuar të bazuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar ndaj të miturit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese, por ankesa nuk e shtyn ekzekutimin e vendimit.