22 të vrarë nga sulmi rus në një stacion të trenit në Ukrainë
Njëzet e dy persona janë vrarë nga një sulm rus me raketë në një stacion treni në Ukrainë në ditën kur u shënua 6-mujori i fillimit të luftës, sipas autoriteteve ukrainase.
Raportohet se pesë nga viktimat e sulmit në qytezën lindore, Chaplyne, u dogjën për vdekje në një automjet. Në mesin e të vrarëve ishte edhe një djalë 11-vjeçar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi për këtë sulm gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai tha se rreth 50 persona janë lënduar.
Rusia nuk ka bërë ndonjë koment për këtë rast dhe vazhdimisht ka mohuar se e vë në shënjestër infrastrukturën civile, raporton televizioni BBC.
Presidenti ukrainas tha se e mori lajmin për sulmin në Chaplyne përderisa po përgatitej për të folur në Këshillin e Sigurimit, duke shtuar: “Kështu është përgatitur Rusia për takimin e Këshillit të Sigurisë së OKB-së.”
“Katër vagonë të pasagjerëve janë në zjarr tani... numri i viktimave mund të rritet”, vazhdoi ai.
Në prill, nga një sulm në një stacion tjetër të trenit në Ukrainë qenë vrarë mbi 50 persona./Nacionale