21 vjet nga masakra e Lubotenit
Sot mbushen 21 vjet nga masakra e Lubotenit, kur forcat maqedonase të sigurisë vranë dhjetë civilë shqiptarë në këtë fshat të Shkupit.
Në mëngjesin e 12 gushtit 2001, u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në Luboten ku vranë fëmijën 6-vjeçar Erxhan Aliu, si dhe Dalip Muratin, Muharrem Ramadanin, Memet Memetin, Rami Jusufin, Xhelal Bajramin, Kadri Jasharin, Bajram Jasharin, Sulejman Bajramin dhe Atulla Qailin.
Në këtë aksion u dogjën 14 shtëpi, ndërsa u arrestuan dhe u keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.
Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.