TikTok-u ua merr shumicën e parave familjeve që lypin për mbijetesë në Siri
Familjet e pastreha në kampet siriane po përgjërohen për donacione në TikTok, derisa kompania merr 70% të përfitimeve, ka zbuluar një studim nga BBC.
Fëmijët po mbajnë sesione direkte në aplikacionin e internetit për orë të tëra, duke kërkuar dhurata dixhitale me vlera monetare.
BBC pa video që grumbullonin deri në 1,000 dollarë për një orë, por zbuloi se njerëzit në nevojë në fakt fituan vetëm një pjesë të vogël të shumës.
TikTok tha se do të ndërmarrë veprime të menjëhershme kundër "lypjes shfrytëzuese".
Kompania tha se kjo lloj përmbajtjeje nuk lejohej në platformë, dhe tha se përfitimi nga dhuratat dixhitale ishte shumë më i ulët se 70%. Por, refuzoi të konfirmonte shumën e saktë.
Më herët këtë vit, shfrytëzuesit e TikTok-ut u sulmuan me përmbajtje të familjeve që mbanin sesione direkte në platformë nga kampet siriane, duke kërkuar mbështetje nga shikuesit, teksa u ngritën shqetësime për mashtrime.
Në kampet siriane veri/perëndimore, BBC zbuloi se trendi po ekzekutohej nga të ashtuquajturit "palët e mesme", të cilat u dhuronin familjeve telefonë dhe paisje për t'u futur në sesione live.
Njerëzit e mesëm thanë se punojnë për agjensione të ndërlidhura me TikTok-un në Kinë dhe Lindjen e Mesme, të cilat u jepnin familjeve qasje në llogaritë në TikTok. Këto agjensione janë pjesë e strategjisë globale të TikTok-ut për të rekrutuar njerëz që futen live dhe inkurajojnë shfrytëzuesit të shpenzojnë më shumë në aplikacion.
Meqë algoritmi i TikTok-ut sugjeron përmbajtje bazuar në origjinën gjeografike të numrit të telefonit të shfrytëzuesit, njerëzit e mesëm thanë se preferojnë të përdorin SIM karta britanike. Ata thonë se britanikët janë dhuruesit më bujarë.
Mona Ali Al-Karim dhe gjashtë bijat e saj janë në mesin e familjeve që futen live në TikTok çdo ditë, duke qëndruar të ulura në dysheme të tendës për orë të tëra, teksa përsërisin pak fjalë anglisht të cilat i kanë mësuar: "Ju lutem pëlqeni, ju lutem shpërndani, ju lutem dhuroni".
Burri i Monas ishte vrarë nga një sulm ajror dhe po i përdor sesionet live për të gjeneruar para për operimin e të bijës, Sharifa, e cila është e verbër.
Dhuratat që kërkojnë janë virtuale, por u kushtojnë përcjellësve me para të vërteta dhe mund të tërhiqen nga aplikacioni në formë keshi. Shikuesit e sesioneve live dërgojnë dhurata - ku përfshihen trëndafilë dixhitalë, që kushtojnë pak centë, te luanë virtual që kushtojnë rreth 500 dollarë - për të shpërblyer krijuesit për përmbajtjen.
Për pesë muaj, BBC ndoqi 30 llogari të TikTok-ut që bëni transmetime direkte nga kampet siriane për njerëzit e pastrehë dhe ndërtoi një program kompjuterik për të marrë informata nga ta.
Familjet në kamp thanë se ata marrin vetëm një shumë të vogël të fitimeve.
Me TikTok-un që po refuzon të tregojë sa përfiton nga dhuratat, BBC bëri një eksperiment për të gjurmuar ku shkojnë paratë.
Një reporter në Siri kontaktoi një prej agjensioneve të ndërlidhura me TikTok-un, duke i thënë se jeton në kamp. Ai mori një llogari dhe shkoi live, derisa stafi i 'BBC' në Londër i dërgoi TikTok-ut dhurata me vlerë prej 106 dollarëve.
Deri në fund të transmetimit, bilanci i llogarisë testuese siriane ishte 33 dollarë. TikTok-u kishte marrë 69% të vlerës totale të dhuratave.
Influenceri në TikTok dhe ish-lojtari i ragbit, Keith Mason dhuroi 330 dollarë për një familje që ishte futur live dhe inkurajoi gati një milion ndjekësit e tij të vepronin njëjtë.
Kur u njoftua nga 'BBC' se shumica e këtyre fondeve merreshin nga kompania, ai tha se ishte "qesharake" dhe "e padrejtë" për familjet në Siri.
"Duhet të keni pak transparencë. Për mua, kjo është lakmitare, është lakmi", tha ai.
33 dollarët e mbetura nga dhurata 106 dollarëshe e BBC-së u reduktuan edhe për 10% kur u tërhoqën nga shopi lokal i transferimit të parave. Njerëzit e mesëm të TikTok-ut morën 35% të shumës së mbetur, duke i lënë familjes vetëm 19 dollarë.
Hamid, një prej njerëzve të mesëm të TikTok-ut në kampe, i tha BBC-së se kishte shitur pjesën e tij për të paguar për një telefon mobil, SIM kartë dhe kyçje në wi-fi për të punuar me familjet në TikTok.
Ai tash punon si transmetues për 12 familje, për shumë orë në ditë.
Hamid thotë se ai përdor TikTok-un për t'i ndihmuar familjet të jetojnë. I paguan me profitet, minus koston e tij, tha ai.
Njëjtë si njerëzit e tjerë të mesëm, Hamid tha se ai mbështetë "agjencitë live" në Kinë, të cilat punojnë direkt me TikTok-un.
"Ata na ndihmojnë nëse kemi probleme me aplikacionin. Zhbllokojnë llogari të bllokuara. Ne u japim atyre emrin e llogarisë, foton e profilit, dhe ata hapin llogarinë", tha Hamid.
Agjenci si këto, të njohura si "reparte të transmetimit të drejtpërdrejtë" dhe të vendosura në të gjithë botën, kontraktohen nga TikTok-u për të ndihmuar krijuesit e përmbajtjes të prodhojnë transmetime të drejtpërdrejta më tërheqëse.


