Tanku serb ruhet si suvenir në fshatin ferizajas, ishte bombarduar nga NATO pas porosisë së fshatarëve - NACIONALE

Tanku serb ruhet si suvenir në fshatin ferizajas, ishte bombarduar nga NATO pas porosisë së fshatarëve

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Në fshatin Prelez i Muhaxherëve të komunës së Ferizajt nuk ka ndonjë “krijesë jashtëtokësore” si në fshatin Babush, por megjithatë ka një objekt të çuditshëm që me kalimin e viteve po bëhet gjithnjë e më i çuditshëm.

Bëhet fjalë për një makinë luftarake të blinduar që njihet si “tank” dhe i cili lëvizte në ditët e tij më të mira me rrota mbi një zinxhir i pajisjur me mitraloza e armë tjera vdekjeprurëse.

Ekipi i Nacionales që ishte në këtë fshat vërejti tankun në këtë fshat dhe i shkrepi disa fotografi për ta dokumentar atë.

Pensionisti Sahit Jakaj (67) ndau tregimin për ditët e fundit të këtij tanku, nga i cili mund të kuptohet se bombat e drejtuara ndaj tankeve nga NATO ishin ‘porositur’ bash prej tyre.

“Kjo është një prej tankeve me të cilat serbët kanë ardhë më 5 prill 1999 në katun, në ora 10:000, edhe iu kanë thënë të gjithë banorëve me e lëshu fshatin menjëherë. Pasi ka pasë rast vdekje, serbët iu kanë mundësu banorëve me e krye varrimin dhe në ora 16:00 [të asaj dite] pas varrimit, të gjithë banorët e fshatit janë larguar për në Maqedoni. Serbët i kanë vendosë tanket në oborre dhe afër dyerve të fshatit. Kur kemi mbërri në Shkup, ne ju tregu për ngjarjen të gjithëve... pe dini ju kujt... dhe pas ditësa ditëve NATO i ka bombarduar tenkat e vendosura në fshat. Tenkat tjera të dëmtuara më pak i kanë tërhjekë forcat serbe ndërsa kjo e vetmja ka mbetë këtu... edhe e kemi vendos në mes të fshatit.”

Prej 5 prillit 1999 kanë kaluar njëzet e tri vjet e një muaj, por tanku nuk ka lëvizur vendit. Ai mbetet si një suvenir lufte për banorët e këtij fshati, ose thënë kushtimisht si “muhaxheri i fundit” në Prelezin e Muhaxherëve. Muhaxhir sipas fjalorit të Gjuhës Shqipe "1. Ai që largohet nga vendbanimi i tij, kur mbetet pa plëng e pa shtëpi (nga një fatkeqësi, nga përndjekjet etj.) dhe që vete në një vend tjetër për të kërkuar strehim e mbrojtje; refugjat. Turmat (karvanët) e muhaxhirëve. Iku si muhaxhir. U bënë muhaxhirë."

Por, a ka plane për t’u lëvizur prej aty?

Banori Halil Rrustemi thotë se tanku nuk i pengon askujt, duke nënkuptuar se ai nuk do të hiqet.

“Prej luftës është, e kanë kallë këta të NATO-s, edhe se ka prekë kërkush ma atë tenkë. Mirë është me nejt qaty tenka, se nuk i pengon kerkujt prej banorëve këtu,”

Forcat serbe do të largoheshin nga Kosova në mes të qershorit 1999, ose dy muaj pasi tanku serb do të bënte vendbanim të përhershëm në këtë fshat.

Lajme të ngjashme