Si e transformoi pandemia Malajzinë në një komb të dashur me librin - NACIONALE

Si e transformoi pandemia Malajzinë në një komb të dashur me librin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kur izolimi mbarëkombëtar i vitit 2020 i detyroi kompanitë në Malajzi të mbyllnin dyqanet e tyre, u duk sikur libraritë e pavarura u lanë në mëshirë të fatit.

Një studim i kryer në 2019 para pandemisë zbuloi se malajzianët lexonin mesatarisht vetëm dy libra në vit. Por ndërsa u detyruan të izoloheshin në shtëpitë e tyre, ndodhi diçka e jashtëzakonshme: ata filluan të lexonin më shumë libra. Sipas Bibliotekës Kombëtare të Malajzisë, nga 2019 e deri në 2020 huazimi i materialeve dixhitale të leximit u dyfishua.

Libraritë që mundën të kalonin në internet patën një rritje të lartë në numrin e shitjeve. Pelita Dhihin Bookstore, një librari e ndodhur në Petaling Jaya e përqendruar në letërsinë dhe filozofinë islame vendase dhe ndërkombëtare, regjistroi një rritje në shitje prej 30% në 2020 krahasuar me vitin 2019.

Pikërisht kjo rritje premtuese e kërkesës ka bërë që disa librari fizike të qëndrojnë të hapura, ndërsa libraritë e reja janë nxitur që të mundësojnë vendosjen e vitrinave. Tokosue filloi si një dyqan në internet në Shopee (një nga platformat më të mëdha të blerjeve në Azinë juglindore) gjatë pandemisë dhe ka qenë kaq i suksesshëm sa themeluesja Sue Ahmad vendosi të plotësojë ëndrrën e saj për hapjen e një librarie fizike. Tani e ngritur në qendrën tregtare “Wisma Central”, “Tokosue” fokusohet në librat që i boton vetë dhe revistat “DIY” (“Bëje vetë”), si dhe në organizimin e shfaqjeve të vogla muzikore, ngjarjeve artistike dhe leximeve.

Riwayat Bookstore, një dyqan i hapur gjithashtu gjatë pandemisë, ndodhet brenda një ndërtese të paraluftës në qendër të Kuala Lumpurit. E themeluar nga dy koleksionistë librash, Riwayat fokusohet kryesisht në libra të rrallë, të përdorur dhe të vjetër, me në fokus historinë, kulturën dhe politikën e Malajzisë dhe Azisë Juglindore.



Libraritë po mbijetojnë edhe sepse ato shërbejnë shpesh si qendra për komunitetin lokal që zhvillohen rreth interesave, gjuhëve, zhanreve, prirjeve politike ose identiteteve të veçanta. Moontree House, një librari e vogël e ndodhur në periferi pranë qendrës turistike “Central Market”, është, për shembull, vatra e librave në gjuhën kineze mbi feminizmin, si dhe një kafene e vogël. Nën tabelën e dyqanit është vendosur një poster i vogël me imazhin e një gruaje të veshur me një cheongsam (një fustan kinez), dhe, i ka rënë pikës me shprehjen “PINI KAFE DHE SHKËRMOQENI PATRIARKATIN”.

Balai Buku Raya, e ndodhur në ndërtesën “Zhongshan” (një kolektiv artistësh me qendër në Kuala Lumpur), ka një ndjekës besnik të klientëve të tërhequr nga koleksioni i revistave dhe librave të rrallë, që nuk botohen më, në gjuhën malajziane dhe angleze. Brenda hapësirës së vetme të librarisë, librat antikë vërshojnë nga raftet dhe grumbullohen në dysheme ose në tavolina.

Për të gjetur libraritë më interesante në Kuala Lumpur, do t’ju duhet të gërmoni nën sipërfaqe. Kjo do të thotë, të largohesh nga qendrat e mëdha tregtare si KLCC dhe Pavilion dhe të kërkosh librari autentike dhe të veçanta të fshehura larg rrugëve kryesore dhe qendrave të artit. Mund të mos e gjeni gjithmonë librin që kërkoni, por ato që gjeni pothuajse me siguri do t’ju befasojnë dhe do t’ju magjepsin.

Lily Jamaludin është shkrimtare dhe poete malajziane që punon për një OJQ

Lajme të ngjashme