“Shpërthimi” i çuditshëm i Shemit në Sunny Hill për Adem Jasharin: Absolutisht asgjë nuk ka kuptim
Vokalisti i grupit, "Ilirët", Shemi Krasniqi është përfshirë në një dramë të çuditshme në Sunny Hill, ku thotë se u arrestua pasi tentoi të futej për të kënduar “këngën e Adem Jasharit”.
Sa të paqarta, aq edhe të qarta duken rrethanat nëse bazohemi në elaborimin e situatës nga vetë këngëtari, me anë të një postimi në Facebook së fundmi.
Shikoni më poshtë statusin e plotë të tij, pa ndërhyrje:
"Te dashur qytetar. Sot me ka ndodh diqka qe kur ne jete se kisha prit.U nisa ne Germi ne Sunny Hill si pjesmares pa nje pa dy nje polic zyrtar me emrin Shkelzen Xhafa urdheroi te me prangosin pa e ba nje te keqe dhe asnji polic tjeter nuk donte ta beje kete ky matrapaz edhe i denoi disa police pse nuk i perfillen urdhrat e ti ky torrollak qart ashte pagu nga Dugagjin Lipa te me sjell ne kete gjendje se une jam perqare me Dugin se i jam betu ne dy femi te mi se kam me dal me kendu kangen e ADEM JASHARIT e ai ashte betu ne tre femi se nuk ka mem leju.Neser une kam me dal me kendu ate kang le te merr sa te doje para Shkelzen Xhafa po une kam me dal.Shihemi ne Sunny Hill Shemi iliret Xhamadanin dhe Adem Jasharin...kanga e legjendarit ashte hiti ma i madh per momentin vetem Dugagjin Lipes i pengon krejt stafin nalt e ka me shkie edhe policet e din dhe ju pengon vetem Shkelzen Xhafes jo se e ka haraqin aty.Zoti i nimofte popullit shqipetar.Shemi iliret".
Hmm... me një anë gabimet gramatikore, e panevojshme të nënvizojmë sa shumë gjëra nuk tingëllojnë drejt e duken të çuditshme në narracionin e Shemit.
Njeriu thotë se është nisur për në Gërmi dhe, "pa një, pa dy", një polic zyrtar të cilit ia përmend edhe emrin, e ka arrestuar atë, pasi disa policë të tjerë kanë refuzuar të bëjnë një gjë të tillë.
Sa për t'i dhënë një logjikë krejt kësaj hyrjeje të çuditshme në statusin e tij, tutje ai thotë se "i jam betu Dugit në dy fëmijët e mi se ka me dalë me këndu këngën e Adem Jasharit", derisa babai i Dua Lipës ia ka kthyer me betim të njëjtë, por ky tash e ka mposhtur numerikisht sa i përket fëmijëve që i ka bërë be, duke u betuar në tre se nuk do të lejojë të performojë.
Sikur kjo pjesë nuk është çudi në vete, ai vazhdon dhe elaboron tutje duke pretenduar se do të dalë të këndojë këngën për Adem Jasharin, me apo pa lejen e Dukagjin Lipës.
Njeriu thotë se do të performojë i paftuar në skenën gjigante të Sunny Hillit, derisa në temë përfshinë edhe figurën e ndijshme për popullin shqiptar, atë të heroit Adem Jashari.
Tash, është e qartë se Sunny Hill është festivali më i madh i muzikës në Kosovë dhe një që krijohet në raport të ngushtë me artistët, të cilët ftohen të marrin pjesë nga organizatorët.
Nëse bazohemi veç në ato çka thotë Shemi, është e vështirë të fajësojmë Sunny Hillin dhe organizatorët për mos lejimin e tij në futjen e hapësirave të festivalit.
Sidoqoftë, Nacionale ka kontaktuar me Shemin për të mësuar më shumë rreth situatës në fjalë, derisa ai ka pretenduar në një skenar edhe më të gjërë propagande kundër tij, duke thënë se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë bllokuar pjesmarrjen e tij në këtë festival.
Sipas tij, dyshimi më i madh mbetet te Përparim Rama, pasi thotë se Kurti është fans i tij, andaj kjo e bën pak më pak të bindshme se ky mund të jetë i përfshirë.
Pikërisht kur fillova të mendoja se gjërat nuk mund të bëhen më të çuditshme, kur ai është pyetur nga Redaksia e Nacionales se kush e ka ftuar të performojë, tha se është ftuar nga një personel sigurimi që po mbante rendin në Parkun e Gërmisë.
Nacionale ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Sunny Hillit dhe vetë Dukagjinin për një koment, të cilët kanë mohuar të flasin rreth kësaj çështje, por në rrethana jo zyrtare është thënë se bëhet fjalë për një njeri jo stabil dhe se ai kurrë nuk ka qenë në program të performojë.
Policia, ndërkohë, thotë se ai u arrestua dhe u lirua pas pak orëve pasi u fut në skenë pa autorizim.
Adem Jasharit iu këndua në Sunny Hill
Përfshirja e emrit të heroit legjendar të luftës për çlirim, është ndoshta pjesa më e dhimbshme në krejt këtë narracion. Është e qartë se ndërlidhja e emrit të tij në këtë ngjarje do të nxisë reagime e empati popullore, por realisht situata duket e dhimbshme për protagonistin, i cili nuk do mend të nënvizohet se nuk ka qenë kurrë në plan të performojë.
Kjo u konfirmua edhe nga zyrtarët e Sunny Hillit për Nacionalen, si dhe nga programi që vetë festivali e ka publikuar ditë më parë ku janë të renditur të gjithë artistët pjesmarrës, e ku nuk figuron emri i Shemit.
Për më tepër, kënga legjendare "mora fjalë" tashmë ka zënë vend në Sunny Hill në natën hapëse.
Ishte Elvana Gjata ajo që performoi këngën në fjalë për të ngjallur të rrëqethura në publik dhe mua që po dëgjonte nga afër.
Gjithë publiku njëzëri brohoriste vargjet drejtuar heroit legjendar, siç mund të shihni e dëgjoni në pamjet e mëposhtme.
