Rroga e vogël, fitimi i restoranteve i madh: Pse punëtorët kosovarë s'e marrin bukën me vete? - NACIONALE

Rroga e vogël, fitimi i restoranteve i madh: Pse punëtorët kosovarë s'e marrin bukën me vete?

4 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Të shpeshta janë ditët kur ankthi më bëhet pjesë e pandashme e përbrendësisë në ora 12:00, kur kërkoj vend të lirë për ngrënie e pirje një-orëshe në pauzë pune. Derisa po shikoja nga afër tollovi njerëzish, po reflektoja e po hamendësoja: Pse askush nuk merr bukë prej shtëpisë në punë?

Një shpjegim i qëndrueshëm mund të jetë edhe emancipimi në rritje i grave, në role nënash, grash e motrash, që i rezistojnë përgatitjes së ushqimit për punëtorët burra.

Kjo po ashtu, mund të lidhet edhe me pamundësinë e burrave që t'i kryejnë punët e shtëpisë në mënyrë konsistente.

Sidoqoftë, mjafton të frekuentosh kafenetë, restorantet, fast food-at - apo edhe ato që janë vështirë të përcaktueshme nëse janë restorante apo kafe pasi mund të hani e të pini pa i ndërlidhur të dy proceset me njëra tjetrën - për të kuptuar se pauza dhe shpenzimet gjatë saj janë pjesë e pandashme e klasës punëtore në shoqërinë kosovare.

Graniti, menaxher në ‘Large Bar’ në qendër të Prishtinës, tregon për një fenomen interesant të pauzave në 15 ditët e para të muajit.

"Unë jam me orar pasdite, por kam marrë kërkesë nga shefi me dalë paradite me iu ndihmu pak", thotë Graniti, derisa nënvizon se stafi i paradites e ka të vështirë të përballojë fluksin e madh të njerëzve gjatë kohës "prej 11:00 deri 14:00".

"Në 15 ditët e para të muajit sidomos vërehet shumë (fluksi i njerëzve në pauzë). Prej datës 20 e andej, bjen pak (puna). Edhe krejt njerëzit, një përqindje e madhe, minimum shpenzojnë 5 euro në kohë pauze".

Personalisht, sot, më 20 shtator, nuk është se vëreja ndonjë dallim nga ditët tjera derisa po ktheja kokën gati në mënyrë eksorciste nga të gjitha anët për të gjetur një tavolinë.

Graniti tutje tregoi se edhe vet shpenzon shuma të tilla në kohë pauze, edhe pse jeton në qendër të qytetit.

Pauza po del të jetë e parezistueshme për investim në të edhe nga subjektet që gjeografikisht kanë rrethana lehtësuese për të kursyer.

Kultura e përgatitjes së ushqimit në shtëpi për kohë pauze rezulton fenomen i rrallë në shoqërinë kosovare.

Anita është një prej atyre që ka vendosur t'ia kthejë shpinën shpenzimeve për ushqim në pauzë, në favor të të ushqyerit me vetpërgatitje në shtëpi.

"Arsyeja pse kom fillu me marrë bukë prej shpisë në zyre është se po e shoh ma të shëndetshme si metodë dhe po ashtu më të lirë në çmim.

"Tjetra është që restorantet tona nuk po ofrojnë diçka shumë interesant. Krejt po e kanë ushqimin e njejtë".

Një tjetër që shpenzon shuma të majme për ushqim në pauzë është Halimi.

"Në pauzë i shpenzoi nga 5 deri në shtatë euro. Arsyeja pse nuk marrë prej shpisë është se jam shumë i dobët në kuzhinë dhe nuk muj me i angazhu të tjerët me ma bo bukën", thotë ai.

Për një vend ku mesatarja e të të ardhurave mujore është 420 euro, duket një tendencë e çuditshme dhe gati unike për të shpenzuar shuma dinjitoze për të mbushur barkun në kohë pauze.

Sidoqoftë, për Besartën nuk është zgjidhje as përgatitja në shtëpi, pasi, siç thotë ajo, tingëllon më lirë se që është në realitet një metodë e tillë.

“Ni periudhë kam provuar ta marrë ushqimin prej shtëpisë, por edhe kjo nuk është ekonomike, sic e mendojmë ne në muhabet të përditshme. Për faktin se për të përgaditur një sendviç shtëpie po kushtojnë përbërsit në market ngjajshëm me atë që po harxhon në pauza”, thotë ajo.

Besarta potencoi se harxhon minimum tre euro në kohë pauze, e që i bie rreth 78 euro në muaj (nëse e marrim parasysh shumën minimale prej tre eurove).

Qe një TikTok ku unë i pyes kolegët sa shpenzojnë në kohë pauze.

Ajo duket pjesë e rasteve pakicë në praktikën urbane të pauzës, sipas Besartit, menaxher në lokalin ‘Apartment’ në lagjen ‘Pejton’.

“Minimum 4-5 euro shpenzojnë (klientët në kohë pauze)”.

Mirëpo, në dy vitet e fundit, ai thotë se është në rritje dukuria e marrjes së ushqimit nga shtëpia, derisa shtoi se shpenzimet kanë qenë edhe më të mëdha në kohë pauzash nga 2020-a e poshtë.

Ndoshta, një aspekt pozitiv që mund të nxirret nga krejt ky ‘obsesion’ shpenzimi i qytetarëve është pikërisht emancipimi në rritje i grave, të cilat – me rritjen e obligimeve financiare dhe angazhimin e tyre në punë profesionale njëtrajtësisht me burrat - kanë më pak kohë e energji për të përgatitur për burrat, historikisht e tradicionalisht të llastuar e kapluar nga paraziteti e mungesa e vullnetit për t’u dalë në krye obligimeve kulinarike.

Sociologia Bleona Kurteshi thotë se “lëvizjet feministe” në vitet e 60-a dhe 70-a mund të kenë pasur rol në uljen e punëve shtëpiake dhe rritjen e të ngrënit jashtë, por nuk dyshon se barra kryesore sa i përket punëve të shtëpisë ende mbetet te gratë.

“Ka shumë studime që mendojnë se ulja e punës shtëpiake dhe rritja e të ngrënit jashtë ka të bëjë me lëvizjet feministe në vitet 1960 dhe 1970. Është e vshtirë të konkludohet nëse rritja e industrisë ushqimore rezultoi në zhvendosjen e punës shtëpiake, por kjo nuk e mohon asesi faktin që puna e pa paguar në shtëpi vazhdon të mbetet barrë e grave”, thotë ajo.

Tutje, Kurteshi elaboroi:

“Marrëdhënia që kanë shqiptarët me të ngrënit jashtë shtëpisë ende nuk është parë prej këndvështrim me hulumtues, por do të ishte shumë interesante me pas hulumtime në këtë fushë për arsye se do kuptonim diçka më shumë për mënyrën se si funksionon shoqëria jonë. Arsyet pse njerëzit zgjedhin me kalu pushimin e tyre të drekës jashtë janë nga më të ndryshmet. Kryesisht janë për aryse si racionalizimi i kohës, pastaj shumë prej tyre konsiderojnë që shpenzimet e të ngrënit jashtë janë më të vogla sesa nëse do pergatisnin në shtëpi e do ta merrnin me vete”.

Pavarësisht gjithçkaje e çdo gjëje, populli i Kosovës – mbi të gjitha – nuk po del të jetë një kursyes e materialist, por shpenzues e me indikacione të ngritjes së nivelit emancipues të grave, të cilat – megjithatë – mbeten të pabarabarta me burrat sa i përket kryerjes së punëve të shtëpisë, ku përfshihet përgatitja e ushqimit.

Lajme të ngjashme