Te “WokWok”-i për drekë, te “Mulliri” për kafe – pozitivet dhe negativet e pauzës në këto dy vende - NACIONALE

Te “WokWok”-i për drekë, te “Mulliri” për kafe – pozitivet dhe negativet e pauzës në këto dy vende

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Për ushqim pauze, sot vendosa për “noodles”, andaj vizitova një lokal të hapur së fundmi, i cili quhet "WokWok", ndërsa në "Mullirin e Vjetër" u shërbeva si destinacion për kafe e ëmbëlsirë. Nëse ju intereson rrëfimi im, rrëshqitni më poshtë. Jeni të falur, nëse nuk keni edhe fort interesim.

Atëherë, pas tërë atyre mishrave, yndyrave e madje edhe specave djegës, sot vendosa që ta vizitoja lokalin "WokWok", i cili ende nuk ka bërë katër javë nga koha kur është hapur, e ku mund të shërbeheni me "noodles" dhe me gjithçka që vjen me to.

Përshëndetja e parë erdhi nga shërbyesi me t'u futur, derisa pyetja e radhës ishte "a është hera e parë që po vini?". Për ngritje kapelash kjo, pasi po më kursente nga krejt bashkëbisedimi ku unë shpjegoj që jam për herë të parë dhe kam nevojë për rekomandime, të cilat zakonisht vijnë edhe pas dy-tre ripërsëritjeve tjera dhe rezistencave të shërbyesve që të vendosin vetë për atë se çka unë do të ha.

Tri lloje të "noodles" ishin vendosur në tre kavanoza të ndryshëm si reklamë. Të ndihmonin që të vendosje për zgjedhjen. E imja erdhi pas një bashkëbisedimi frytdhënës për nga informacioni që m’u dha nga punonjësit aty.

Madje, në një pikë, njëri po më pyeste nëse jam alergjik nga ndonjëri nga përbërësit që do t'i hidheshin kutisë së letrës në të cilën erdhën "noodles". E rrallë, apo jo?

Shërbimi dhe vullneti i punonjësve për të ndërvepruar ishte 10 nga 10 të mundshme.

Ambienti ishte interesant, me orendi të përbëra nga druri dhe mbajtëse ngjyrë portokalli, ngjyrë mbizotëronte në brendësi. E portokallta inkurajon impulse dhe stimulon apetite e bashkëbisedime, e këto hollësi sigurisht se duhet të kenë qenë në mendjen e disenjatorëve të lokalit gjatë procesit.

Ishte vetëshërbim, andaj për ju që e keni problem këtë gjë, nuk është vendi më i rekomandueshëm. Sidoqoftë, nëse jeni të fiksuar pas shijes, në vend të sasisë dhe ngopjes tradicionale, nuk mund ta rekomandoj në masë aq të zëshme sa e meriton.

Po e shijoja secilën zgjatje të fijeve të "noodles", të cilat po sigurohesha t'i mbaja më gjatë pa i gëlltitur për shkak të shijes fantastike. Për më tepër, karkalecat (të cilët duhet t'i porosisni ekstra) kishin përfaqësim dinjitoz, ndërsa perimet e susami (të cilin ia hodha tek arka me të marrë kutinë) e kompletonin produktin final me një shije të admirueshme, për të cilën do të kthehem prapë.

Ndoshta minusi i vetëm që unë të mos e vizitoj edhe më shpesh "WokWok"-in ishte çmimi prej 5,70 eurosh, me shtesa si lakra, karota, sosi që quhej "Hong kong sweet chilli", qepa e kuqe, karkalecat dhe speci i kuq. Ajo që e bënte edhe më mbresëlënëse krejt përvojën, ishte edhe fletushka e përbërësve që i ishte bashkëngjitur kutisë. Mund ta shihni më poshtë.

Nëse jeni ithtar i cilësisë në vend të sasisë, jua rekomandoj fuqishëm "WokWok"-in për vizitë. Jo edhe aq, nëse qëllimi juaj kryesor gjatë ngrënies është stërngopja.

Vlerësimi: 3.5 - Do ta rivizitoj për shkak të shijës për mbamendje. Kualiteti > kuantiteti gjen përfaqësim në këtë vend.

Meqë kafe, natyrisht, nuk shërbejnë në "WokWok", sigurisht se nuk do të lejoja që kjo të më ndalte nga një apo disa gllënjka të një të zeze amerikane pas bukës. Fundja, duhan nuk pi dhe kafeja pas buke është "shpërblimi" i vetëm që ia bëj vetes pas një vakti të mirë, sikur kjo e fundit të ishte ndonjë lloj sfide, pas së cilës ke nevojë për shpërblim.

"Mulliri i Vjetër"

Andaj, u ndala te "Mulliri i Vjetër", në rrugën "Luan Haradinaj", rreth katër minuta ecje larg "WokWok"-it, ndoshta edhe më pak, nëse shkoni rrugicave të shkurtra dhe ecni më shpejt se një person i rëndomtë si unë në kohë pauze.

Tash, një gjë për "Mullirin e Vjetër": pothuajse në çdo kohë është plot e përplot me njerëz dhe është vështirë që të sigurosh një vend (të paktën ashtu ka qenë sa herë që e kam vizituar). Ambienti i ngushtë e bën përvojën tuaj me mungesë rehatie dhe largimi është krejt çfarë doni të bëni, pasi të kryeni punë. Kushedi, ndoshta kjo është mënyra se si është menduar strategjikisht "Mullirit i Vjetër" - për t’i shmangur qëndrimet e gjata të klientëve me një porosi.

Një kafe amerikane dhe një petull amerikane (ishte porosia ime). Po e quaj "amerikane", pasi realisht nuk di si ta quaj ndryshe "donut"-in, ndërsa t'i them veç "petull", nuk duket se është e drejtë, kur marrim parasysh se “petulla” dikush në Kosovë mund t'u thotë lloj-lloj fërgimeve të brumit në vaj.

Shija e kafesë dhe petullës te "Mulliri" ishte e atillë që - dorën në zemër - më bën të përpihem edhe derisa shkruaj për të. Fantastike. Po e vlerësoja absolutisht. Sidoqoftë, në një tavolinë me tri karrige, e kishim jashtëzakonisht të vështirë që të rehatoheshim për të ngrënë si duhet dhe ne ishim vetëm dy persona ulur. Shikoni më poshtë.

Edhe "Mulliri i Vjetër" është vetëshërbim, derisa porosia njoftohet me mikrofon përmes numrit, i cili të ofrohet në faturë me ta bërë porosinë. Krejt punonjëset janë gra, ndërsa shërbimi është në rregull, për aq sa mund të jetë në një vend vetëshërbimi. Jo se dikush më pyeti nëse kisha alergji në "Nutella".

Definitivisht do të kthehem për ta vizituar përsëri për shkak të cilësisë së produkteve, pavarësisht nga mungesa e rehatisë për shkak të hapësirës së ngushtë brenda. Për më tepër, edhe çmimi ishte tejet i arsyeshëm – vetëm €2.40 për një super kafe dhe një super “donut”, po më dukej sikur po e mashtroja lokalin dhe mezi prisja të dilja, se mos po më kthente dikush në dalje e sipër për t’më thënë se kishin gabuar në llogaritje.

Vlerësimi: 3,5 – Merreni me vete , nëse jeni klaustrofobik. Megjithatë, e rekomandoj fuqishëm për cilësinë e produkteve, derisa i kam provuar pothuajse shumicën e ëmbëlsirave dhe kafeve që i ofron “Mulliri i Vjetër” dhe kam zero ankesa.

Lajme të ngjashme