Qysh industria e humorit i mbajti gjallë dallimet katundar - sheherli, edhe pse në realitet ato u zhdukën? - NACIONALE

Qysh industria e humorit i mbajti gjallë dallimet katundar - sheherli, edhe pse në realitet ato u zhdukën?

3 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Shko në cilëndo periudhë kohore të humorit shqiptar, dhe kudo që të ndalesh, do ta gjesh të njëjtën përballje: katundar vs qytetar. Që prej Mixhës Ramë në vitet e tetëdhjeta, që llogaritet si pionier i humoreve të skeçeve, e deri te “Stupcat”, që ende mbijetojnë në vitin 2022, tema kryesore që humoristët e kanë trajtuar, janë dallimet mes atyre që jetojnë në qytete dhe atyre që jetojnë në fshatra.

Ndërkohë këto dallime kanë evoluuar në forma të ndryshme derisa tashmë janë zhdukur.

Është viti 2022. Asgjë që ka në qytet, nuk mungon në fshat. Të gjithë kanë telefona të mençur, të gjithë kanë qasje në edukim, të gjithë janë pa dallim të barabartë për t'u edukuar. Sidoqoftë, tema “katundar vs sheherli” vazhdon të jetë e rëndësishme në debatin publik.

Krejt kjo ndasi mirëmbahet duke përdorur “batuta” dhe “fore të humoreve” për ata që bëjnë këso dallime. Bile disa nga aktorët, sikurse Sevdai Radogoshi, ende vazhdojnë të flasin me këto dallime.

Mixha Ramë do të duhej të ishte i fundit?

Krijimi i Radiotelevizionit të Prishtinës e ka shënuar edhe nisjen e realizimit të një industrie të re në kinematografinë kosovare: skeçet humoristike. Një nga pionierët e kësaj industrie është edhe aktori tashmë i ndjerë, Fitim Domi, i njohur për personazhin e tij si “Mixha Ramë”.

I gjendur në një periudhë të vështirë kohore, koha kur kishte nisur zanafilla e dallimeve ndëretnike në Jugosllavinë e atëhershme, personazhi i Mixhës Ramë - një shqiptar tradicional, i veshur me tirqi e me plis - ishte kryesisht i vendosur si metaforë për t'i shpërfaqur dallimet dhe raportet ndëretnike në atë kohë.

Megjithatë, përtej kësaj, ky karakter i tij u zhvillua edhe si një rezistencë ndaj shtypjes së regjimit jugosllav, që i dallonte banorët e vet në bazë të veshjes dhe sjelljes.

I gjendur në një periudhë kur edukimi dhe qasja në të mirat e shtetit i takonte vetëm një elite urbane (ose më mirë të thuhet elitë politike e komunizmit), duke ia pamundësuar të tjerëve qasjen në emancipim, karakteri i Mixhës Ramë është një momentum i rëndësishëm kinematografik për Kosovën.

Kur Jugosllavia u shpërbë dhe shteti i fundit në këtë shpërbërje, Kosova, u çlirua, karakteri i Mixhës Ramë do të duhej të përfundonte aty. Por nuk ndodhi. Vetëm sa u hiperbolizua.

"Treshi Përsheshi" apo “le të vazhdojmë me provincën brenda provincës”

Karakteri i Mixhës Ramë u zëvëndësua me tri karaktere të tjera të humorit. Cima (Rasim Thaçi), një karakter si katundar i paedukuar, që bën gjeste për të komunikuar, Leci (Ibrahim Krajkova), që nuk i interesonte edukimi, dhe Qumili (Sevdai Radogoshi), një qytetar i edukuar keq. Këto tri personazhe, që u bënë bashkë në një seri skeçesh të titulluara “Treshi Përsheshi”, e përdorën narrativën e Mixhës Ramë për ta mirëmbajtur humorin që bazohej në dallimet mes katundarëve dhe sheherlive. Më shumë për këtë treshe, lexojeni një shkrim që ka ardhur si reagim ndaj një deklarate të aktorit Radogoshi.

"Katunarë dhe Sheherli" - "Mahmutovitët dhe Rexhepovitët"

Biznesi që shpërtheu pas vitit 2000, ishte ai i kasetave "DVD", të cilat prodhoheshin nga disa prej kompanive të produksionit, si": “Emra-Com”, “Vizioni Libonia”, “Labia” e shumë të tjera, krijoi një tjetër oazë për ata që nuk dëshironin të dilnin jashtë “humorit me ndasitë lokaliste”.

Kësisoj, ne pamë një zhvillim të hovshëm të krijimeve kinematofrafike (normalisht shumë amatere) gjatë dekadës së parë të shekullit të ri, që bazoheshin në narrativën e dallimeve mes “katundarëve dhe qytetarëve”. Gati shumica e aktorëve të këtyre kasetave kanë luajtur një rol si “katundar” ose “sheherli”.

I kujtojmë prodhimet humoristike sikurse “Katunar dhe Sheherli” (ku po don ma ashiqare) që në dhjetra episode ndërton histori mes dy familjeve që jetojnë në dy lokacione të ndryshme: njëra në banesë, në zonë urbane, e tjetra në shtëpi, në një zone rurale.

Aty kanë luajtur shumica e aktorëve të njohur edhe sot. Nëse e sheh serialin sot, e kupton se sa sipërfaqësorë janë dialogët dhe historitë mes karaktereve.

Një stigmatizim tipik: katundarët janë ata që nuk janë të edukukuar, rrjedhimisht flasin me gjuhë të egër, nuk kanë mirëkuptim dhe as respekt për gratë; dhe qytetarët, që “i përqeshin sjelljet e katundarëve” dhe janë më të qetë në komunikim dhe më të emancipuar në mënyrën se si i shohin dhe i komentojnë situatat.

Duke mos u mjaftuar me ndarjen “katundar - sheherli”, prodhime të tjera si “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët” kanë shkuar edhe më tej, duke i hequr “sheherlitë” nga tregimi, ndërsa “katundarët hahen mes vete”.

Dikush, me një dozë mirëkuptimi, do të thoshte se “ashtu kanë qenë punët në ato kohë”, andaj edhe krijimet e humorit janë bërë me aso teme, por kur “katundarët dhe sheherlitë” e Kosovës hynë në dekadën e dytë të shekullit të ri, dallimet mes tyre u zhdukën në jetën reale, por humoristët vazhduan të mbanin gjallë një dallim që më shumë i fliste të kaluarës.

"Familja Moderne", "Kafeneja Jonë" dhe "Stupcat"

Kur Radiotelevzioni publik i Kosovës e nisi prodhimin e vet të parë filmik, e krijoi serialin “Familja Moderne” e më vonë edhe serialin “Kafeneja Jonë”. Në të dyja prodhimet, rolet kryesore apo humori kryesor ishte i vendosur në dallimet mes "katundarëve dhe sheherlive".

Te “Familja Moderne”, shumica e personazheve jetojnë në zona urbane, andaj edhe sjelljet e tyre ishin më të avancuara, por kjo nuk nënkuptonte “humor që i shtin njerëzit me qeshë”. Kësisoj, në serial futen kohë pas kohe karaktere nga katundi, të cilët duket sikur vijnë në Prishtinë nga ndonjë shpellë e jo nga një fshat as 10 minuta larg Prishtinës.

Njëjtë ndodh edhe te karakteret e serialit “Kafeneja Jonë”. Avnia, si sheherli, është një njeri i ngritur, ndërsa Lami (që luhet nga i njëjti aktor, Adem Mikullovci) është një njeri i prapambetur, që vetëm bërtet, “qet me allti” dhe nuk i respekton gratë.

Kësaj narrative iu shtuan edhe “Stupcat” të cilët krijuan role që i përqeshnin komplet “katundarët”, përmes karaktereve si Sahit Plisi “që nuk e kupton, me demek, Prishtinën”, Mixha Shneq, “që ta fut plumb, nëse ia prish tymin e duhanit”, e deri te Teta Gjyli, një grua që duron rrahje e poshtërim si diçka normale. Ndërkohë “akademiku” i Mensur Safqiut është një personazh i edukuar dhe që vetëm çuditet me “mendësinë shpellare të katundarëve”.

Lista e këtyre “humoreve” vazhdon edhe sot. Ende ka krijime filmike televizive me këto karaktere, sikurse “Çka ka shpija” ose “Kryetari i mirë me shokë shumë” e deri te prodhimi më i ri televiziv, “Tre vllaznit”. Foret me “katundarë” dhe “sheherli” vazhdojnë sikurse industria që i prodhon ato të kishte ngecur në vitet e tetëdhjeta. Ejani në vitin 2022, ju lutem.

Lajme të ngjashme